S’ka viza, s’ka as lobim në BE
Foto: Laura Hasani

S’ka viza, s’ka as lobim në BE

Aktuale July 17, 2019 - 07:58
Lexoni detajet
Image

Njohësit e proceseve integruese po i kritikojnë drejtuesit e institucioneve të Kosovës se nuk po lobojnë sa duhet për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian, sidomos tek ato shtete që kanë rezerva në këtë drejtim, shkruan sot Gazeta 'Zëri".

Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova nuk e ka larg vendimin për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian (BE), ndonëse shumë shtete anëtare nuk janë deklaruar pro kërkesës së vendit për lëvizje në Zonën Schengen.

Franca, Holanda, Finlanda,..., ende kanë dilema nëse do ta votojnë pro liberalizimit të vizave për Kosovën në Këshillin e Ministrave të BE-së, përderisa Bullgaria, Sllovakia e Lituania kanë konfirmuar për “Zërin” se do ta përkrahin vendin në këtë proces.

Megjithatë, derisa shumë shtete me ndikim në BE kanë pikëpyetje për çështjen e vizave për Kosovën, zyrtarët shtetërorë në Prishtinë nuk po lobojnë sa duhet tek ato për t’i bindur shtetet skeptike.

Njohësit e proceseve integruese thonë për “Zërin” se liberalizimin e vizave me BE-në janë duke e penguar disa faktorë, duke përfshirë këtu mungesën e rezultateve në kuadër të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar etj.

Hoxha: Kosova nuk po trajtohet drejt nga BE-ja

Nga Zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj kanë thënë për “Zërin” se Qeveria është duke e kryer punën e vet sa i përket lobimit te të gjitha vendet e BE-së për të drejtën e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Qeveria dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës janë duke e bërë detyrën e vet sa i përket lobimit te të gjitha vendet e BE-së për të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë Francën, Holandën dhe Finlandën dhe se opinioni i këtyre shteteve po ndryshon në favor të liberalizimit. Kosova i ka përmbushur kriteret e BE-së për liberalizim dhe hyrja në agjendë të Këshillit të BE-së është e pritshme. Pra kjo do të ndodhë sivjet”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit për gazetën “Zëri”.

Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një përgjigje për gazetën “Zëri” theksoi se me gjithë punën e institucioneve për ta bërë të mundur heqjen e vizave, Kosova nuk po trajtohet sikur vendet tjera aspiruese që tashmë kanë arritur synimin për liberalizim.

“E them preras, askund në udhërrëfyes nuk ka pikë ose kapitull të papërmbushur. Fenomenet që janë procese nuk kanë data, siç është sundimi i ligjit ose luftimi i krimit dhe i korrupsionit, ato janë procese dhe kurrë të përfunduara. Këto dukuri negative janë sfidë për mbarë botën, ndërsa të ketë mospranim të të arriturave vetëm për vendin tonë është e padrejtë. Kur e them këtë kam parasysh për disa vende që kanë liberalizim e që për fenomenet të cilat neve na ngarkohen në ato vende as që kanë trajtim ose shifra të matshme”, ka thënë ministrja Hoxha.

Ajo potencoi se padrejtësitë që po i bëhen Kosovës nuk do ta ndalin punën e vendit për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Hoxha shtoi se duke u bazuar në komunikimin zyrtar që institucionet e Kosovës kanë pasur me institucionet e BE-së, nuk ka qenë e pritshme që Kosova do të përballet me një vonesë kaq të madhe deri në heqjen e vizave.

Kurteshi: Nuk ka gjasa për viza as këtë vit

Deputeti i Vetëvendosjes Ismail Kurteshi, njëherësh edhe anëtar në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane, është shprehur për gazetën “Zëri” se Kosova mund ta kalojë edhe këtë vit pa liberalizim të vizave.

“Nuk ka ndonjë shenjë që po vjen prej Evropës e që është optimiste në këtë drejtim. Çështja për të hyrë në agjendë është diskutuar kaherë, mirëpo ajo që është e rëndësishme është se nuk po bëhet realitet, nuk janë gjasat e mira që këtë vit kjo çështje të zgjidhet dhe qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm”, ka thënë Kurteshi.

Sipas tij, korrupsioni po vazhdon të jetë sfida kryesore e heqjes së vizave për Kosovën gjë e cila po krijon skepticizëm te shtetet anëtare të BE-së për të votuar pro liberalizimit. Ai shton se nëse nuk ka luftë të ashpër ndaj kësaj dukurie lobimi i Kosovës te këto shtete nuk mjafton.

“Mendoj se Kosova nuk po bën as përafërsisht çfarë duhet të bëjë për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, që janë kushtet e para për liberalizim të vizave, sado që te ne nuk po përmendet sa duhet. Mendoj që Evropa është shumë mirë e informuar për situatën në Kosovë dhe nëse shteti i Kosovës nuk i shpall luftë të vazhdueshme kësaj dukurie, atëherë lobimi për vizat është pa efekt”, ka potencuar Kurteshi.

Hoti: Të binden shtetet e BE-së që s’do të ketë valë të re migrimi

Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, duke folur për “Zërin” ka thënë se me gjithë problemet evidente këtë vit mund të pritet që Kosova të hyjë në agjendën e Këshillit të BE-së dhe të ketë gjasa që të liberalizohen vizat.

“Çështja e liberalizimit nuk varet më nga afatet ose praktikat e deritanishme që ka ndjekur BE-ja. Tashmë çështja e liberalizimit mbetet çështje e vendosjes në agjendë nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe nëse nisemi nga fakti që tashmë jemi në fazën paszgjedhore ku këto institucione janë formuar. Unë pres që Kosova të jetë në agjendë dhe mbase fundi i vitit të na gjejë edhe pa viza”, ka thënë Hoti.

Por ai ka përmendur migrimin e kosovarëve si arsye që mund ta pengojë liberalizimin e vizave.

Ai theksoi se në këtë rrafsh institucionet e Kosovës nuk po bëjnë sa duhet për t'i bindur shtetet e BE-së se dhënia e liberalizimit nuk do të krijojë valë migrimesh dhe nuk do të ketë asnjë efekt negativ në Evropë.

“Ajo që po mungon dhe që po e mban peng liberalizmin është serioziteti i Kosovës për t'i trajtuar shqetësimet që kanë shtetet të cilat janë skeptike për liberalizim dhe ky seriozitet lidhet me punën e Ministrisë së Brendshme, që është kryesisht e lidhur me migrimin ilegal. Pastaj është edhe frika që mund ta ketë BE-ja për ndonjë valë emigrantësh pas liberalizimit”, ka theksuar ai.

Shasha: Korrupsioni, pengesa kryesore për liberalizim

Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, ka numëruar katër faktorë, të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën, si: mungesa e rezultateve të Kosovës në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të gjeturat e raportit të vendit për vitin 2019, ku u identifikuan sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit, liberalizimi i vizave, i cili nuk është prioritet i institucioneve të BE-së për vitin 2019 dhe mungesa e vullnetit politik për heqje të vizave për Kosovën.

Sipas Shashës, institucionet e Kosovës duhet të vendosin vëmendjen tek ajo çfarë po kërkojnë vendet sikur Franca, Holanda dhe Finlanda e që është arritja e rezultateve në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit në nivelin e lartë.

“Dy vjet pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Institucionet duhet të ndalojnë presionin politik mbi sistemin e drejtësisë dhe garantimin e një mjedisi pozitiv, transparent dhe kredibil të sistemit të drejtësisë, i cili bazohet në punën e njerëzve profesionistë, apolitikë dhe me integritet publik”, ka deklaruar Shasha për “Zërin”.

Ai shton se gjatë këtij viti institucionet e BE-së do të janë të fokusuara në konstituimin e institucioneve të reja të BE-së, të dala nga zgjedhjet e fundit, për Parlamentin Evropian dhe kësisoj ka gjasa të mëdha që Kosova të mos marrë vendim për vizat as gjatë këtij viti.

“Pavarësisht vlerësimit të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, vendet anëtare të BE-së ose Këshilli i BE-së nuk është duke e ndarë vlerësimin e njëjtë me dy institucionet e lartcekura. Tani qysh nga muaji shtator 2018 Këshilli i BE-së nuk ka ndërmarrë hapat drejt marrjes së vendimit pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Rrjedhimisht duhet të jemi skeptikë se institucionet e BE-së do të marrin vendim pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave deri në fund të këtij viti. Gjasat janë se i gjithë procesi do të shtyhet për vitin 2020”, ka thënë Shasha.