"Prishtina e Re" pritet të kushtojë afro 380 milionë euro

Ekonomia July 03, 2019 - 17:38
Lexo Detajet

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot kanë nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit për projektin “Prishtina e Re”. Ky projekt që nënkupton edhe zhvendosjen e objekteve qeveritare e ministrive, përfshirë edhe Presidencën, në një lokacion të ri, që është Hajvalia, do të nisë më 2020 dhe do të kryhet më 2023. “Prishtina e Re”, sipas nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Selimi Pacollit, pritet të kushtojë afro 380 milionë euro.

Të gjitha dikasteret e Qeverisë së Kosovës, Presidenca e objekte tjera pas katër vitesh do të kenë një lokacion të përbashkët. Kjo do të bëhet përmes projektit “Prishtina e Re”, që do të nis të realizohet pas nënshkrimi nga i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe i pari i ekzekutivit, Ramush Haradinaj.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ka treguar për Express se “Prishtina e Re”, do të mbledh në një vend të gjitha dikasteret e Qeverisë së Kosovës do të nisë të realizohet nga viti 2020 dhe do të përfundojë në vitin 2023.

“Do të bëhet zhvendosja e objekteve të administratës qeveritare dhe dikastereve të saj. Çdo dikaster qeveritar do të zhvendoset aty, ministritë dhe agjencitë në kuadër të tyre. Të gjitha shërbimet për nevoja të Qeverisë dhe ministrive do të vendosen në një vend. Projekti do të ndërtohet në pjesën mes Hajvalisë dhe Prishtinës, dhe përfshinë 700 mijë metra katrorë.”, thotë Pacolli.

Pacolli thotë se ky projekt do të zgjidhë problemin e komunikacionit në kryeqytet, pasi me akomodimin e të gjitha dikastereve qeveritare në një vend, qytetarët nuk do të kenë nevojë të hyjnë në qytet për të kryer shërbimet e tyre.

“Kjo nënkupton automatikisht shkarkimin e me mbi 170.000 automjeteve të ndryshme motorike të cilat defilojnë gjatë ditës në kryeqytet. Me vetë faktin e zhvendosjes së administratës, pjesa dërmuese e këtyre automjeteve do të zhvendosen me pronarët e vetë të cilët janë punëtorë dhe shërbyes të Qeverisë dhe pjesa tjetër qytetarë të cilët i qasen qytetit për nevoja të ndryshme administrative dhe civile”

Ndërkaq Pacolli bën të ditur se realizimi i këtij projekti që pritet të kushtojë 380 milionë euro nuk nënkupton investim direkt nga Komuna apo Qeveria.

“Por kjo nuk nënkupton investim direkt nga komuna ose qeveria, mund të implementohet me partneritet dhe koeficient në ndërtim. Ne e ofrojmë tokën për ndërtim në kompensim ndërtimi të objekteve tona”, thotë Pacolli.

E për objektet në të cilat tashmë ndodhen ministritë, Pacolli thotë se do të kthehen në shërbim të qytetarëve. Kurse një pjesë e objektit të Rilindjes do t’u kthehet mediave, një pjesë tjetër do të jetë për shoqata joqeveritare dhe rinore.