Veriu i Mitrovicës e Zveçani - 13 milionë euro borxh për ujë

Veriu i Mitrovicës e Zveçani - 13 milionë euro borxh për ujë

Ekonomia April 26, 2019 - 08:04
Lexoni detajet
Image

Në kompaninë ujësjellësi rajonal “Mitrovica” kanë precizuar se borxhi për ujë i komunave veriore është 13 milionë euro. Në anën tjetër Miodrag Raliq, drejtor i Ujësjellësit në veri të Mitrovicës, nuk ka pranuar se borxhet e ujit janë 13 milionë euro, duke konstatuar se ato janë vetëm vlerësime paushalle, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, të cilat me ujë të pijshëm furnizohen nga fabrika për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës, kanë borxh për ujë të pijshëm mbi 13 milionë euro.

Banorët e këtyre komunave nuk kanë paguar asnjëherë për ujin e harxhuar, ndërsa shpenzimet as nuk u janë faturuar qytetarëve, shkruan më tutje "Zëri". 

Qeveria e Kosovës ka subvencionuar kompaninë ujësjellësi rajonal “Mitrovica” herë pas herë, por borxhet janë akumuluar deri në atë masë saqë tashmë është vështirë të inkasohen.

Drejtori i ujësjellësit rajonal “Mitrovica”, Sami Miftari, ka thënë se Qeveria e Kosovës deri më tani ka paguar 6 milionë euro kompensim për ujin e harxhuar për veriun e Kosovës.

Mësohet se mbi 13 milionë euro është vlera e faturave të ujit të shpenzuar, të cilat nuk janë paguar nga banorët serbë të këtyre komunave veriore që nga përfundimi i luftës.

40% e ujit e shpenzojnë komunat veriore

Siç thonë në kompaninë ujësjellësi rajonal “Mitrovica”, nëse nuk ndërmerren masa rrezikohet ndërprerja e prodhimit të ujit, por edhe furnizimi me ujë edhe i pjesës jugore, pasi gjendja është vështirësuar tejmase.

Fabrika për përpunimin e ujit që gjendet në Shipol, respektivisht KURM-i, është e vetmja kompani e licencuar që kryen veprimtarinë e furnizimit me ujë të pijshëm dhe për mirëmbajtjen e kanalizimit në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen Mitrovica Jugore dhe ajo Veriore, Vushtrria, Skenderaj dhe Zveçani.

Në ujësjellësin rajonal “Mitrovica” kanë thënë se rreth 40 për qind të ujit e shpenzojnë komunat veriore dhe se serbët e asaj pjese nuk kanë paguar asnjëherë për ujin e shpenzuar.

“Herë pas herë Qeveria e Kosovës ka ndihmuar subvencionimin e ujit që distribuojmë për veri, por pamjaftueshëm për t’i mbuluar shpenzimet e ujit për pjesën veriore. Ne qytetarëve të veriut nuk ua faturojmë ujin, por i bëjmë faturat për të ditur se sa dërgojmë në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në Zveçan”, kanë thënë në ujësjellësin rajonal “Mitrovica”.

Drejtori i konteston borxhet

Në anën tjetër Miodrag Raliq, drejtor i Ujësjellësit në veri të Mitrovicës, nuk ka pranuar se borxhet e ujit janë 13 milionë euro, duke konstatuar se ato janë vetëm vlerësime paushalle.

Ai ka shtuar se nga fabrika për përpunimin e ujit në Shipol furnizohen vetëm qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit.

Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, në pikun e verës kur furnizimi vështirësohet kishte kërkuar nga Zyra e BE-së në Prishtinë t’i paguajë shpenzimit e ujit për qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit. Ai pati thënë gjithashtu se për çështjen e borxheve për ujin e shpenzuar duhet të bisedohet në Bruksel në kuadër të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Në anën tjetër shpenzimet e energjisë elektrike të banorëve të katër komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, u janë faturuar qytetarëve të Kosovës. ZRRE-ja në një raport për situatën kishte sqaruar se 41 milionë euro janë futur për pesë vjet në faturat e qytetarëve.

E ndërkaq zyrtarë të Listës Serbe kanë thënë se vendimi për faturat e rrymës është arritur në Bruksel në mes të Qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë “ngase në atë pjesë ka ndodhur që nuk ka pasur rrymë me orë të tëra dhe për këtë kompani nga Serbia kanë vepruar dhe kanë furnizuar me energji atë pjesë, por nga autoritet e Kosovës nuk janë licencuar ata operatorë, të cilët kanë bërë katër herë kërkesë për licencim”.

Lista Serbe është ankuar se kompanitë serbe të energjisë elektrike që janë formuar janë refuzuar nga Prishtina.