Qeveria: Kosova ka përfituar ekonomikisht dhe politikisht nga taksa

Qeveria: Kosova ka përfituar ekonomikisht dhe politikisht nga taksa

Ekonomia April 16, 2019 - 09:08
Lexo Detajet

As optimistët më të mëdhenj nuk kanë besuar se nga rreth gjysmë miliardi euro në vit importe nga Serbia dhe fare pak eksporte Kosova një ditë do ta përmbysë bilancin tregtar me Serbinë. Dy dekada pas përfundimit të luftës Kosova muajt e fundit po eksporton trefish më shumë mallra drejt Serbisë sesa po importon. Krejt kjo falë taksës 100%, shkruan gazeta “Zëri”.

Se Kosova ka përfituar ekonomikisht nga taksa, e thonë edhe nga Qeveria e Kosovës. Haki Shatri, këshilltar ekonomik i kryeministrit Haradinaj, ka thënë për “Zërin” se nga taksa 100 % kanë përfituar prodhuesit vendorë, me çka gjithnjë sipas tij u janë rritur kërkesat dhe normat, u është shtuar qarkullimi e u janë rritur të ardhurat. Sipas tij, përveç përfitimit ekonomik, ka pasur edhe përfitim politik.

"Në aspektin ekonomik mendoj se prodhimi vendor ka përfituar shumë. Kompanive prodhuese vendore brenda 3-4 muajve u janë rritur kërkesat dhe normat, e kanë rritur numrin e të punësuarve, e kanë shtuar qarkullimin dhe i kanë rritur të ardhurat, domethënë ka pasur efekte tepër pozitive për prodhuesit vendorë. Mirëpo në këtë rrafsh nuk është dëmtuar as konsumatori, sepse produktet e Serbisë janë zëvendësuar me kohë me mallra tjera të ngjashme", ka theksuar Shatri për “Zërin”.

LEXO EDHE: Kosova “pushton” ekonomikisht Serbinë

Në aspektin politik, ai tha se me vendosjen e taksës, Kosova ka treguar se mund të marrë vendime që janë në interes të vendit. Sa për heqje, a i tha se për këtë mund të bëhet fjalë kur të plotësohen kushtet e thëna më parë.

"Politikisht me vendosjen e kësaj takse Kosova i ka treguar botës se jemi shtet i pavarur dhe dëshirojmë që Serbia të sillet ndaj nesh me respekt si ndaj çdo shteti tjetër të pavarur. Prandaj para faktorit ndërkombëtar e kemi pranuar se ne e kemi këtë punë në dorë dhe konform Kushtetutës, Qeveria e Kosovës merr vendime të cilat i sheh që janë në interes të vendit. Prandaj nuk e kemi ndërmend ta heqim taksën derisa të plotësohen kushtet nga Serbia, të cilat Qeveria e Kosovës i ka përmendur shumë herë", ka thënë Shatri.