Peticion për mbylljen e kazinove
Foto: Laura Hasani

Peticion për mbylljen e kazinove

Ekonomia March 22, 2019 - 08:01
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Javën e fundit Kosova u trondit nga dy vrasje që ndodhën në kazino. Të shtunën një 36-vjeçar u vra me armë zjarri në një kazino në rrugën e Reshanit në komunën e Suharekës, ndërsa një i ri tjetër u vra të mërkurën mbrëma në një kazino në qytetin e Lipjanit, shkruan sot Gazeta "Zëri.info".

Pas këtyre dy rasteve në po këto dy qytete do të mbahet peticion për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit, ndërsa seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e këtij ligji ka kërkuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). E në mbështetje të kësaj rezolute kanë dalë edhe partitë e tjera në vend, si nga pozita, ashtu edhe nga opozita.

LEXO EDHE: Klinika e QKUK-së punon me aparaturë që i 'ka skaduar' afati para tri dekadave

Për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit LDK-ja ka dalë me një rezolutë, ku ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të aktiviteteve të kazinove dhe të lojërave të fatit në të gjithë Kosovën.

“LDK-ja kërkon pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe të lojërave të fatit në mbarë territorin e Kosovës”, thuhet në një postim të shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hotit.

Ai ka specifikuar dy kërkesa që do të parashtrohen në seancën e jashtëzakonshme.

“Qeveria menjëherë ta pezullojë aktivitetin e të gjitha kazinove dhe lojërave të fatit dhe ta nxjerrë një ligj të ri që i ndalon të gjitha llojet e kazinove dhe të lojërave të fatit për një periudhë dhjetëvjeçare”, thuhet më tutje në këtë postim. Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi për medie ka njoftuar që nesër do të mblidhet Kryesia e Kuvendit për të vendosur se kur do të mbahet kjo seancë e jashtëzakonshme.

“Pas mbledhjes së Kryesisë, në orën 11:00, Kuvendi pritet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me kërkesën e deputetëve nënshkrues”, thuhet në njoftim.

Opozitë e pozitë përkrahin rezolutën

Deri më tani në mbështetje të rezolutës së propozuar nga LDK-ja për pezullimin e aktiviteve të lojërave të fatit kanë dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Partia Socialdemokrate (PSD) dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, për “Zërin” ka konfirmuar që kjo parti e ka përkrahur mbajtjen e kësaj seance. “E kemi përkrahur mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, si dhe tekstin e draft-rezolutës”, ka thënë ai.

Ndërsa deputetja e po kësaj partie, Blerta Deliu Kodra, për “Zërin” ka deklaruar se shpreson që nesër deputetët do të dakorodohen për këtë rezolutë.

“Sot janë mbledhur nënshkrimet prej deputetëve. Nesër do të ketë seancë. PDK-ja ka votuar pro kësaj seance. Nesër shpresojmë se do të ketë dakordim për pikat e kësaj rezolute”, ka thënë ajo.

Këtë rezolutë e ka përkrahur edhe Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti i kësaj partie, Ismajl Kurteshi, për “Zërin”, ka deklaruar se LVV-ja e mbështet këtë rezolutë.

“Këto kazino po i sjellin dëm vendit dhe sidomos të rinjve. Unë mendoj që do të duhej të diskutohet për këtë çështje në Kuvend dhe nëse shumica e deputetëve e votojnë unë e shoh krejt në rregull që të ndërmerret diçka. Kjo po u shkakton dëm të rinjve dhe ndodhën edhe vrasje në këto vende, kështu që krejt është e zakonshme që të ndërmerren masa për ndërprerjen e këtyre lojërave”, ka thënë Kurteshi.

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuqi, për “Zërin” ka konfirmuar që edhe deputetët e kësaj partie i kanë dhënë nënshkrimet për mbajtjen e kësaj seance. “PSD-ja i ka dhënë nënshkrimet për këtë kërkesë të LDK-së”, ka thënë shkurt ajo.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) përmes një komunikate për medie ka konfirmuar po ashtu përkrahjen e kësaj partie për këtë rezolutë.

“Grupi Parlamentar i AAK-së përkrah iniciativën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për mbylljen e të gjitha kazinove dhe lojërave të fatit, duke pasur parasysh pasojat që po ia sjellin vendit tonë”, thuhet në njoftimin e AAK-së. Shkalla e rrezikshmërisë së funksionimit të tyre është rritur dhe ka kaluar çdo limit deri tek aktet e përmasave tragjike të vrasjes së njerëzve, prandaj duhet të veprojmë energjikisht në mënyrë që të ndalet ky trend, i cili po e dëmton shoqërinë tonë”, thuhet në komunikatë.

Në Suharekë qytetarët nënshkruajnë peticion për mbylljen e kazinove

Në qytetin e Suharekës dje qytetarët kanë nënshkruar peticion, i cili ka të bëjë me ndryshimin e Ligjit për Kazinotë. Pas vrasjes tragjike që ndodhi të shtunën në një kazino në këtë qytet kryetarët kanë kërkuar mbajtjen e një peticioni për mbylljen e kazinove.

Të paktën kështu ka deklaruar kryetari i kësaj komune Bali Muharremaj, i cili për “Zërin” ka thënë që kjo iniciativë është marrë nga qytetarët e kësaj komune dhe se është mbështetur nga të gjitha partitë opozitare në komunë.

“Unë kam filluar që nga e hëna me këtë iniciativë, derisa e kemi formuluar tekstin, derisa e kemi shtypur tekstin dhe librat, jam dakorduar me të gjitha partitë politike që janë në asamble komunale, me asamblistët dhe ne sot kemi filluar që të gjitha institucionet nga ora 11:00 para Kuvendit Komunal ku kanë marrë pjesë asamblistët, qytetarët e bashkësitë fetare”, ka thënë Muharremaj.

Këto nënshkrime sipas tij do të dërgohen në Parlamentin e Kosovës. Pro këtij peticioni janë edhe disa komuna tjera të Kosovës.

“Ka qenë kërkesë e qytetarëve dhe jo e kryetarit të Komunës, mirëpo unë jam për përkrahjen e qytetarëve dhe kështu vendosëm t’i mbledhim 10.000 nënshkrime e t’i dërgojmë në Parlamentin e Kosovës. Përkrahje kam edhe prej kryetarit të Komunës së Vushtrrisë. Edhe kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, kryetari i Gjakovës Adrian Gjini dhe unë besoj që të gjithë kryetarët është mirë ta përkrahin, sepse është në interes të qytetarëve”, ka thënë i pari i Suharekës.

Kërkesa për fuqizimin e këtij ligji sipas Muharremajt ka ardhur pas vrasjes që ka ndodhur të shtunën në njërën nga kazinotë e këtij qyteti.

“Arsyeja pse të shfuqizohet ligji është se ndodhi rasti në Suharekë, ndodhi mbrëmë rasti shumë i rëndë në Lipjan, kështu që kjo është një e drejtë kushtetuese, ligjore, ne e kemi obligim t’i mbledhim nënshkrimet dhe t’i dorëzojmë, për këtë punë nuk vendosim Kuvendi Komunal e as kryetari, por vendos Parlamenti i Kosovës”, është shprehur ai.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, për “Zërin” ka deklaruar që duke filluar nga e hëna për tri ditë rresht në komunën e Lipjanit do të mbahet peticion me kërkesën për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit.

“Normalisht që ne i jemi bashkangjitur iniciativës së kryetarit Bali Muharremaj që ta realizojmë një peticion me qytetarët për ta dërguar në Parlamentin e Kosovës, në mënyrë që të shfuqizohet Ligji për Lojërat e Fatit. Nga e hëna tri ditë rresht në sheshin në qendër do të organizohet peticion për t’ia dërguar Parlamentit të Kosovës kërkesën për ta rishikuar dhe për ta shfuqizuar Ligjin për Lojërat e Fatit”, ka thënë ai.

ATK-ja: Në Kosovë nuk ka asnjë kazino të regjistruar

Zëdhënësja për informim në Administratën Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi, për “Zërin” ka deklaruar se në Kosovë nuk ka të regjistruar asnjë kazino.

“Aktualisht në Kosovë nuk ka asnjë kazino të regjistruar dhe ne nuk kemi pasur asnjë kërkesë për regjistrimin e bizneseve të tilla”, ka pohuar ajo.

Sipas saj, kërkesat që duhet plotësuar për të regjistruar një biznes të tillë mund të jetë shkaku pse deri më tani nuk është regjistruar asnjë biznes i tillë.

“Njëherë ka qenë një kërkesë, por më pas është tërhequr kërkesa e tyre për shkak se për ta regjistruar një biznes të lojërave të fatit është pak më ndryshe. Individi i cili planifikon që ta hapë një kazino duhet të paguajë tatim 1 milion euro dhe 2 milionë të tjera duhet t’i ketë në konto për të garantuar rregullin ligjor. Ndoshta është kjo për shkak të çmimeve, mirëpo në Kosovë nuk ka kazino, mundet të ketë lojëra të fatit”, ka thënë ajo.