Klinika e QKUK-së punon me aparaturë që i 'ka skaduar' afati para tri dekadave
Foto: Laura Hasani

Klinika e QKUK-së punon me aparaturë që i 'ka skaduar' afati para tri dekadave

Aktuale March 22, 2019 - 07:56
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Klinika e Otorinolaringologjisë (ORL) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është duke punuar me aparatura të cilat është dashur të dalin jashtë përdorimit para 29 vjetëve, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), aparaturat të cilat janë më të vjetra se shtatë vjet duhet të dalin jashtë përdorimit. Megjithatë edhe pavarësisht kësaj në Klinikën e ORL-së punohet me aparatura të cilat funksionojnë qe 36 vjet.

LEXO EDHE:  Gjashtë muaj deputet 'rezervë'

Drejtori i kësaj klinike, Hajdin Thaçi, ka thënë për “Zërin” se edhe pavarësisht asaj që në këtë klinikë realizohen deri në 25 operacione në ditë aparaturat janë të vjetra.

Disa nga pajisjet që tashmë sipas standardeve të OBSH-së kanë dalë jashtë përdorimit në këtë klinikë janë: Audiogrami (audiogrami është regjistrimi i aftësisë dëgjimore të veshit), timpanogrami (është test për matje të presionit në vesh) dhe bronkoskopia (metodë me anë të së cilës mund të hetohen bronket).

Për shkak të vjetërsisë së tyre, sipas drejtorit të ORL-së, në kohën më të madhe aparaturat janë me defekte.

“Klinika funksionon prej vitit 1983. Në atë kohë është bërë pajisja me disa instrumente, të cilat sot e kësaj dite i kemi në përdorim. Ne si klinikë realizojmë 20 deri në 25 operacione brenda ditës. Puna jonë shoqërohet me vështirësi, sepse instumentariumi është i vjetër, nuk është i kohës. Ne po shpresojmë që do t’i vijë radha edhe Klinikës së ORL-së që të pajiset me mjete pune, mirëpo mbi 90 për qind e instrumentariumit që ne e përdorim është i vitit 1983. Mjetet si audiogrami e timpanogrami duhet të blihen të reja”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se si Klinikë kanë nevojë për çdo gjë sa i takon pajisjes me instrumentarium.

Ndërsa edhe pse një numër i madh i fëmijëve paraqiten në këtë klinikë pasi të kenë gëlltitur trupa të huaj, që duhet intervenim i saktë, stafi i ORL-së e bën këtë intervenim me aparaturë të stërvjetuar.

“Më së keqi qëndrojmë me instrumentarium për heqjen e trupave të huaj te fëmijët, që quhet aparatura e bronkoskopisë rigjide, por njëkohësisht në mjekësinë moderne përdoret bronkoskopi fleksibil, pra me lëvizje hyn në rrugët respiratore pa e rrezikuar fëmijën dhe ka shikueshmëri në ekran, pra të pranisë së trupit të huaj dhe pastaj bëhet tërheqja e saktë, por neve na mungojnë ato pajisje. Kur hyjmë të nxjerrim trupa të huaj si kikirikë e fasule te fëmijët hyjmë me instrumentariumin e blerë në vitin 1983. Kur unë tregoj si mjek që kam këtë instrumentarium, me këtë instrumentarium unë kisha rrezikuar fëmijën tim, por po e rrezikoj edhe fëmijën tuaj”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë për gazetën “Zëri” se deri tani investimet në këtë klinikë kanë qenë minimale. Mirëpo edhe pse punën e tyre e kryejnë me aparatura shumë të vjetra, ai ka thënë se ato janë sterile dhe nuk ka ndonjë rrezik për infeksione.

Ndërsa sa i takon stafit, disiplinës e higjienës, ai ka thënë se tre vjet me radhë ORL-ja është shpallur si Klinika më e mirë.

ORL-ja me mungesë të aparaturës që kushton 6 mijë euro

Puna me aparatura të vjetra nuk është i vetmi shqetësim për stafin e kësaj klinike.

Në ORL ka edhe aparatura të cilat janë të nevojshme, por që mungojnë.

Thaçi ka thënë se atyre u mungon aparatura e timpanogramit, që shërben për matje te fëmijët e shurdhër, e cila sipas tij kushton deri në 6 mijë euro.

“Ne nuk kemi pasur një timpanogram, aparat për të bërë matjen e lëvizshmërisë së cipave të veshit, që kushton 5 mijë deri 6 mijë euro. Në privat nëse prishet diçka që kushton 5 mijë euro brenda orës sigurohet. Shteti për qytetarët e vet të cilët për çdo ditë shpëtohen, siç janë fëmijët dhe që janë kategoria më e ndjeshme, qëndron me këto investime”, ka thënë ai.

Përndryshe, ai ka bërë të ditur se në këtë klinikë trajtim marrin pacientë nga të gjitha komunat e Kosovës, si dhe nga një pjesë e Shqipërisë.

“Ne deri më tani kemi sukses të jashtëzakonshëm në shpëtimin e jetërave të fëmijëve, duke pasur parasysh që këto lloj intervenimesh bëhen vetëm në Klinikën e ORL-së dhe padrejtësisht kjo klinikë është harruar për t’u kompletuar me pajisje të cilat janë për të shpëtuar jetë. Këto intervenime për gjithë Kosovën dhe për një pjesë të rajonit të Shqipërisë bëhen vetëm në Qendrën Klinike Universitare, në Klinikën e ORL-së”, ka theksuar ai.

Thaçi ka treguar se tashmë disa herë nga Klinika e ORL-së janë bërë kërkesa për pajisshmëri me aparatura, por sipas tij për ato kërkesa nuk kanë marrë përgjigje.

“Kërkesat tona që janë bërë janë të përsëritura. Ne bëjmë një kërkesë, ata gjuajnë pluhur. Ne i kemi ato të regjistruara dhe kanë qenë në vazhdimësi. Jo një herë, por ndoshta 10 herë për diçka, por pa përgjigje kemi mbetur nga ata që marrin vendime. Tani kohëve të fundit na është premtuar nga drejtori ekzekutiv që pajisja për bronkoskopi është në procedurë, mirëpo ne ende nuk e kemi gëzuar atë”, ka thënë ai.

Ministria e Shëndetësisë ka premtuar që këtë vit t’i pajisë disa nga klinikat me aparatura të reja.

Këtë gjë e kishte konfirmuar për “Zërin” më herët zyra për informim në këtë ministri. Sipas MSH-së, për pajisje dhe për infrastrukturë për Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës për këtë vit janë ndarë rreth 5 milionë euro.

Aparatura 15 vjet të vjetra në Spitalin e Gjakovës

Me aparatura të vjetra është duke u punuar edhe në Spitalin e Gjakovës.

Drejtori i këtij spitali, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se aparatura e laparaskopit (shikimi i organeve të brendshme të organizmit) është në funksion qe 15 vjet, ndonëse siç ka thënë ai është i vetëdijshëm që sipas OBSH-së aparatura është e vlefshme deri në 7 vjet.

“Sikur edhe në spitalet tjera të Kosovës ka aparatura, por disa janë të vjetra. Laparaskopi i parë ka ardhur në Gjakovë qe 15 vjet, janë dy laparaskopë. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se një aparat është i vlefshëm 5 vjet deri në 7 vjet e pastaj konsumohet”, ka thënë ai.

Asllani ka thënë se nga Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës u është premtuar pajisja me një laparaskop.

“SHSKUK-ja na ka dhënë sinjale për t’i shpërndarë disa aparatura në spitale dhe në spitalin tonë do ta sjellë një laparaskop për gjinekologji dhe obstetrikë. Ne kemi bërë kërkesën për dy dhe ata na kanë dedikuar një, por mirë është që të jenë dy, një për gjinekologji dhe një për kirurgji”, ka thënë ai.