Mbyllen 210 biznese
Foto: Laura Hasani

Mbyllen 210 biznese

Ekonomia March 15, 2019 - 08:01
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Më së shumti biznese janë shuar në Mitrovicë (110), ndërsa më së paku në Drenas, 19 biznese. Zyrtarë të Zhvillimit Ekonomik në Mitrovicë, në Vushtrri, në Skenderaj dhe në Drenas konstatojnë se një nga shkaqet që kanë çuar deri te çregjistrimi i bizneseve ka ardhur si pasojë  “e lëshimit të Kosovës”, por edhe për shkak të problemeve me afarizëm e me mungesë profiti, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Viti 2018 në Mitrovicë dhe në komunat e rajonit, Vushtrri e Skenderaj dhe në Drenas, ka shënuar një numër të madh të bizneseve që kanë shuar veprimtarinë e tyre.

LEXO EDHE: Kërkohet pezullimi i pagesave për 19 mijë veteranët e rrejshëm

Në këto komuna në vitin 2018 kanë shuar veprimtarinë e tyre 210 biznese të ndryshme.

Në krahasim me numrin e bizneseve që janë regjistruar në vitin 2018, numri i bizneseve të regjistruara është shumë më i vogël, por kjo ka zgjuar interesimin e atyre njerëzve të cilët pretendojnë dhe janë përgatitur të zhvillojnë ndonjë biznes në të ardhmen, për arsyet e shuarjes së bizneseve dhe për të krijuar një bindje se një fat i tillë nuk do t’i gjejë edhe ata posa ta fillojnë veprimtarinë.

Nga informacionet që ka siguruar “Zëri” nëpër komunat e rajonit të Mitrovicës dhe në Drenas, bizneset që janë shuar janë kryesisht biznese të vogla, e më pak të mesme, biznese kryesisht joprofitabile. Bizneset e mëdha vazhdojnë të dominojnë, e më kryesoret janë pompat e benzinës dhe marketet.

Ka shumë më pak biznese prodhuese që janë duke zhvilluar veprimtaritë e tyre, ndonëse të gjitha komunat insistojnë t’u krijojnë kushte dhe lehtësira atyre bizneseve prodhuese, të cilat janë pothuajse të vetmet që punësojnë më shumë njerëz.

Mësohet nga burime nëpër komuna se bizneset që janë shuar gjatë vitit 2018 janë kryesisht dyqane tregtare, çajtore, qebaptore e të ngjashme, të cilat në konkurrencën e fortë nuk kanë mundur të mbijetojnë. Në Mitrovicë, në Vushtrri, në Skenderaj dhe në Drenas ka jo pak biznese që udhëhiqen nga femrat dhe kjo ka inkurajuar gratë e këtyre komunave që të zhvillojnë veprimtari të ndryshme.

Në këto komuna nuk kanë precizuar nëse ndonjë biznes që udhëhiqet nga femrat ka çregjistruar biznesin e saj. Në komunën e Skenderajt ta zëmë janë disa gra shumë të suksesshme me bizneset e tyre dhe atyre Komuna u ka ofruar shumë lehtësira, disa prej tyre ua ka siguruar edhe hapësira për zhvillim të bizneseve, madje edhe përbrenda qendrës së kulturës “Hasan Prishtina”.

16 biznese të reja drejtohen nga gratë

Në vitin 2018, sipas të dhënave në DEFZHE-së, janë regjistruar 16 biznese të reja që udhëhiqen nga gratë. Në komunën e Mitrovicës në vitin 2018 janë shuar 110 biznese, kryesisht të vogla dhe të mesme, ndërsa shkaqet janë të ndryshme.

Gjatë vitit të shkuar po në Mitrovicë janë regjistruar 371 biznese të reja të veprimtarive të ndryshme.

Drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Mitrovicë, Shukri Gashi, i tha “Zërit” të mërkurën se bizneset që janë shuar janë kryesisht të atilla që nuk kanë mundur t’i zhvillojnë normalisht veprimtaritë e tyre, ashtu siç ata i kanë menduar dhe siç kanë pritur.

“Arsyet më të shpeshta për shuarje të veprimtarive biznesore janë problemet me afarizëm të tyre. Bizneset nuk kanë qarkullim të mjaftueshëm dhe kjo rezulton me mungesë të fitimit, do të thotë ato nuk kanë profit. Një kategori tjetër e pronarëve të bizneseve që janë shuar kanë gjetur punë dhe ata e kanë parë më të arsyeshme të punojnë për një pagë dhe në këtë mënyrë të mos merren më me biznes, por ka edhe biznese që kanë hapur biznesin në emër tjetër, ose të ndonjë anëtari tjetër të familjes, derisa e ka shuar biznesin aktual”, vlerëson Gashi.

Si një ndër shkaqet që kanë çuar në shuarjen e bizneseve, drejtori i DFZHE-së Gashi ka përmendur edhe problemin me eksodin e kosovarëve, të cilët pothuajse për çdo ditë lëshojnë Kosovën, për një jetë më të mirë në Perëndim.

“Ka raste që njerëzit kanë mbyllur bizneset, sepse e kanë lëshuar Kosovën dhe kanë ikur jashtë vendit”, ka precizuar drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Mitrovicës, Shukri Gashi.

Në Vushtrri janë mbyllur 44 biznese

Në komunën e Vushtrrisë janë 44 biznese, të cilat gjatë vitit të kaluar kanë shuar veprimtarinë e tyre. Në këtë Komunë i kanë thënë “Zërit” se bizneset që janë çregjistruar janë kryesisht biznese të vogla, të cilat nuk kanë mundur të afarojnë me përfitime.

Sipas të dhënave në Qendrën për Regjistrimin e Bizneseve në komunën e Vushtrrisë, gjatë vitit 2018 përkrah 44 bizneseve që janë çregjistruar, janë 204 biznese të reja që janë regjistruar. Numrin më të vogël të bizneseve të çregjistruara në vitin 2018 e ka komuna e Drenasit, vetëm 19.

Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit, duke u bazuar në të dhënat e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, tha se ka një numër të madh të bizneseve që janë regjistruar të reja në vitin 2018, por nuk ka precizuar se sa është numri i tyre.

Ndërkaq, në komunën e Skenderajt, sipas drejtorit për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Mehmet Berisha, në vitin 2018 janë shuar 37 biznese, për arsye të ndryshme.

“Arsyet janë të ndryshme, nuk u ka ecur puna, kanë pasur probleme gjatë punës dhe kjo ka bërë që ata të heqin dorë për të zhvilluar biznes. Ka edhe arsye të tjera, me rëndësi është që njerëzit të vazhdojnë të zhvillojnë veprimtari të ndryshme për të mundur të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre”, ka thënë Berisha, të mërkurën.

Sipas tij, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 143 biznese të reja, 40 biznese bujqësore, 16 prodhuese, 29 tregtare, 9 hoteliere, 26 shërbyese dhe 23 biznese ndërtimore.

“Bizneset në bujqësi, ato prodhuese dhe ato tregtare i udhëheqin femra, ndërsa bizneset hotelier, shërbyese e ndërtimore i udhëheqin meshkujt. Ato biznese kanë lajmëruar 293 të punësuar”, ka precizuar drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Skenderajt, Mehmet Berisha.