Kërkohet pezullimi i pagesave për 19 mijë veteranët e rrejshëm
Foto: Laura Hasani

Kërkohet pezullimi i pagesave për 19 mijë veteranët e rrejshëm

Aktuale March 15, 2019 - 07:58
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Prokurori special Enver Krasniqi ka paraqitur kërkesën e tij që të pezullohet pagesa e pensioneve për 19 mijë veteranët deri në përfundim të procesit gjyqësor. Arsyetimi i tij ka qenë se si rezultati i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Prokurori special Enver Krasniqi ka paraqitur kërkesën e tij që të pezullohet pagesa për 19 mijë veteranët deri në përfundim të procesit gjyqësor. Arsyetimi i tij ka qenë se si rezultati i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet.

LEXO EDHE: Për tre vjet zero dënime me burgim të nivelit të lartë

“Prandaj duke konsideruar buxhetin e Kosovës si interes publik prokurori i shtetit ka autorizim të plotë ligjor për të kërkuar një gjë të tillë”, ka thënë Krasniqi gjatë seancës. Ndër të tjera ai ka thënë se përfitues nga buxheti janë edhe personat e tretë të përfshirë në rast.

“Përfitues nga buxheti i Kosovës janë personat e tretë dhe një situatë e tillë kur me veprimet e të pandehurve si rezultat i veprave penale dhe kur përfitojnë personat e tretë përcaktohet rregulli për të dëmtuarin, që në rastin konkret kemi dëmtimin e buxhetit të Kosovës. Andaj duke u bazuar në këtë fakt se personat e tretë të paraqitur në Aneksin 1 të kësaj aktakuze, si pasojë e veprës penale të të pandehurve nga 2015-a deri në gusht të 2018-s kanë përfituar më shumë mbi 88 milionë euro”, ka shtuar ndër të tjera Krasniqi.

Haradinaj: Prokuroria po kërkon trazira

Nasim Haradinaj, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), e ka akuzuar Prokurorinë Speciale të Kosovës për nxitje të trazirave në vend.

Ai për “Zërin” ka deklaruar që kjo çështje është lojë politike dhe nxitje e mashtrimit për buxhetin.

“Nuk munden ata të na dënojnë kolektivisht. Ata thjesht janë duke dëshiruar trazira. Ne nuk jemi të interesuar për këto, por ata thërrasin për shkatërrimin e këtij vendi dhe kanë atë qëllim. Thjesht, po them se nuk ka më dënime kolektive, madje edhe të akuzuarit nëse kanë të drejtë deri të shpallen fajtorë nuk mund të quhen fajtorë. Unë mendoj se është lojë politike, nxitje e mashtrimit të buxhetit dhe për t’i rregulluar ata punët e veta. Të gjithë kanë qëllim trazira në këtë pushtet dhe në këtë kohë kur Kosova ka nevojë më së shumti për qetësi. Për mua është vendim arbitrar, jojuridik dhe antikushtetues”, ka thënë Haradinaj.  

Duke iu përgjigjur thirrjes së Prokurorisë Speciale për ndaljen e pagesave Haradinaj ka thënë se janë të gatshëm që t’i mbrojnë veteranët.

“Prokuroria po dëshiron të bëjë thirrje për trazira dhe në këtë kohë ne jemi të gatshëm jo për t’i mbrojtur mashtruesit, por t’i mbrojtur veteranët. Ata e dinë se si i kanë ngatërruar emrat dhe i kanë futur njerëzit që janë edhe meritorë, por që janë edhe jomeritorë”, ka pohuar ai.

Kështu ai ka ftuar Prokurorinë të merret me raste individuale e jo kolektive.

“Prokuroria le të merret me raste individuale ose le t’i marrë ata të Komisionit që i kanë marrë këto vendime dhe të merret me ta le t’ua ndalë atyre pagesat. Kjo nuk është as pagesë, por lëmoshë sepse as për barna nuk u dalin veteranëve”, ka thënë për fund Haradinaj.

Gashi: Pagesat duhet të ndalen

Tomë Gashi, avokat, ka vlerësuar që pagesat për veteranët e rrejshëm nuk do të ndalen edhe pas kërkesës së Prokurorisë, pasi në gjykatë ka ndikim politika.

“Pagesat do të duheshin të ndalen që të mos krijohen dëme dhe konkretisht për këtë duhet të vendosë gjykata dhe besoj se nuk do ta aprovojë kërkesën e Prokurorisë duke e ditur  gjyqtaren që është e angazhuar për këtë çështje, e cila edhe për familjarët e tij raportohet se ka të akuzuar për vepër penale të rënda dhe besoj se ndikimi i politikës në këtë çështje është fare i lehtë”, ka pohuar Gashi.  

Tutje ai ka thënë se presioni për heqjen e pagesave për veteranët është i madh.

“Duke e ditur presionin e madh dhe duke e ditur numrin jashtëzakonisht të madh që është rreth 20 mijë persona që marrin pagesa në mënyrë të kundërligjshme për çfarëdolloj arsye që tanimë dihen unë besoj se kjo çështje është e ndjeshme, por gjykata duhet ta vendosë në bazë të provave që i kanë dërguar gjykatat”, është shprehur ai.  

Ndërsa analisti i çështjeve politike Mazllum Baraliu ka thënë se në këtë rast nuk duhet ndërhyrë as politikisht, por as në forma tjera. Sipas tij është e qartë që ka pasur ndërhyrje në procesin e përzgjedhjes së veteranëve.

“Nuk është mirë të ndërhyhet politikisht ose edhe të ndërhyhet edhe në forma të tjera të presionit nga cilado anë qoftë që të pengohet procedura e rregullt dhe ecuria e procesit gjyqësor në gjykatë. Është evidente që ka pasur tejkalim, ka pasur edhe abuzime qoftë në kuptimin e abuzimit, qoftë në kuptimin e dhënies atyre që nuk e kanë merituar ose edhe mosdhënies së atyre që e kanë merituar”, pohoi Baraliu.  

Se ka pasur abuzime në numra sipas Baraliut e kanë konfirmuar edhe udhëheqësit e UÇK-së dhe personat e tjerë që kanë mbajtur evidenca.

“Këto çështje duhet t’i lihen drejtësisë. Askush nuk është mirë të ndërhyjë në punët e gjykatës. Gjykata nëse e konsideron se duhet që kjo çështje të stagnohet njëherë, pra procesi të ndalet derisa të sqarohet saktësisht nga të gjitha burimet në procedurë, provat dhe dëshmitë që i ofrojnë palët e interesuara në proces ose të ftuara nga gjykata se ka pasur ose jo abuzime, ka pasur ose nuk pasur teprime në numër, sepse të gjitha të dhënat nga njerëzit që kanë udhëhequr dhe që kanë pasur evidencë e informacione rezulton se shumë më pak ka pasur luftëtarë dhe të tjerë kontributdhënës në procesin e çlirimit të vendit sesa këta që janë paraqitur diku rreth 62 mijë”, ka thënë ai.