Shumë kërkesa, pak buxhet

Ekonomia January 22, 2019 - 08:16
Lexo Detajet
Image

Ka shumë pak mundësi që buxheti për këtë vit të miratohet më 31 janar, kur ai të dalë për votim në Kuvendin e Kosovës. Pas kundërshtimit të LDK-së e të LVV-së, shpresa e vetme për Qeverinë është Partia Socialdemokrate, por ajo ka vënë kushte për të cilat nuk negociohet, shkruan gazeta "Zëri".

Ka pothuajse një muaj që kemi hyrë në vitin e ri, por Kuvendi ende nuk e ka miratuar buxhetin për këtë vit. Më 21 dhjetor të vitit të kaluar u votua në parim buxheti për vitin 2019, ndërsa tash më 31 janar të këtij do të vihet në votim të dytë. Dy partitë më të mëdha opozitare kanë shprehur qëndrimet e tyre kundër këtij buxheti, ndërsa partia tjetër opozitare PSD-ja përmes disa kushteve që ka vënë do ta ndihmojë miratimin e tij.

LEXO EDHE: Masivizohen grevat në Kosovë

Ndër kushtet që ka vënë Partia Socialdemokrate është edhe shkarkimi i ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallo, i cili ende nuk ka ndodhur. Mosvotimi i buxhetit do të mundë të çojë në krizë buxhetore vendin. Megjithatë së fundmi buxheti i Kosovës është ngarkuar edhe me vendimin e Qeverisë për rritje pagash të personelit mjekësor e të mësimdhënësve, vendim të cilin Komisioni për Buxhet dhe Financa ende nuk e ka akomoduar në buxhet. 

PSD-ja nuk i jep votat për buxhetin pa u shkarkuar Rikallo

Partia Socialdemokrate në një përgjigje për “Zërin” ka bërë të ditur se nuk do të votohet buxheti pa u shkarkuar ministri Rikallo, i cili sipas tyre ka dështuar ta drejtojë sektorin e bujqësisë. “Shkarkimi i ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallo është njëri nga 5 kushtet e parashtruara nga Partia Socialdemokrate për votimin e Projektligjit për Buxhetin. Partia Socialdemokrate nuk e voton Projektligjin për Buxhetin në lexim të dytë pa shkarkimin e z. Rikallos, që konsiderojmë se ka dështuar në drejtimin e sektorit të bujqësisë, që është prioritet dhe interes i Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kësaj partie. Megjithatë, PSD-ja përmend se realizimi i kushteve të tyre është i lidhur me votimin e Projektligjit për Buxhet në lexim te dytë dhe se është në pritje të përmbushjes së pesë kushteve nga Qeveria, përndryshe në të kundërtën nuk ka vota për buxhetin nga socialdemokratët. “Partia Socialdemokrate është në pritje të jetësimit të kërkesave të saj për çështjen e Projektligjit për Buxhetin. Votimi ose jo nga PSD-ja i Projektligjit për Buxhetin varet tanimë nga veprimet e Qeverisë, përkatësisht të shumicës parlamentare. Ligji për Pagat, Ligji për Dialogun, Ligji për Qeverinë, shkarkimi i z. Rikallos dhe reforma pensionale janë interes i përgjithshëm dhe nevoja të qytetarëve të Republikës. Pa realizimin e tyre nuk ka vota nga Partia Socialdemokrate për Projektligjin për Buxhetin”, thuhet më tutje në përgjigjen e Partisë Socialdemokrate.

Vetëvendosja as nuk e voton e as nuk negocion me Qeverinë për buxhetin

Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë qëndrim të njëjtë karshi buxhetit për vitin 2019. Për këtë parti është i papranueshëm votimi i buxhetit, pasi nuk i përmbush kriteret.

Deputeti i kësaj partie, Rexhep Selimi, në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka konfirmuar edhe një herë se nuk do të negociojnë me Qeverinë në lidhje me këtë çështje. “Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë ndonjë ndryshim dhe nuk është lëkundur nga qëndrimet e saj opozitare sa i përket Qeverisë në përgjithësi, por edhe sa i përket buxhetit në veçanti. Ne as nuk kemi negociuar me Qeverinë votimin e Buxhetit e as që pritet ta bëjmë një gjë të tillë. Vazhdojmë të mbajmë qëndrimin e njëjtë karshi kësaj çështjeje”, ka thënë Selimi. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur disa herë kundër votimit të buxhetit, të cilin e kanë konsideruar si të projektuar në mënyrë jo të duhur.

Shumë amendamente, pak buxhet

Buxheti për vitin 2019 pritet të jetë prej 2.3 miliardë eurosh e në të pritet të akomodohen shumë amendamente. Grevat e mjekëve dhe të mësimdhënësve janë ndër ngarkesat më të mëdha për buxhetin. Vendimi i para disa ditëve i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për rritje të pagave në sistemin shëndetësor dhe arsimor do të shkaktojë implikime në buxhet.

Nga Ministria e Financave në një përgjigje për “Zërin” thonë se Komisioni për Buxhet dhe Financa ende është duke e diskutuar hartimin e buxhetit. “Buxheti për vitin 2019 është miratuar në parim dhe aktualisht është duke u diskutuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa, gjithashtu ju njoftoj se janë paraqitur një numër i konsiderueshëm i amendamenteve, për të cilat mbetet që Komisioni të vendosë dhe pastaj të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës në njërën nga seancat e ardhshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ndërsa zëvendëskryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, është shprehur se ende nuk kanë përfunduar shqyrtimin e të gjitha çështjeve që do të futen në buxhet. Mirëpo ajo thekson se nuk është mirë të bëhet lëvizshmëri me pagat, si vendimi për rritje për sistemin arsimor, porse të veprohet në përputhje me mundësitë buxhetore që Kosova ka. “Në Komision ende nuk e kemi shqyrtuar të gjitha çështjet dhe sa u përket pagave të mësimdhënësve e të mjekëve, nëse Ligji për Pagat e parasheh një rritje të tillë, atëherë sigurisht që një implikim i tillë do të përfshihet në buxhet, megjithëse nuk është mirë që të bëhet lëvizshmëri e pagave me greva, është mirë të reflektohet me mundësitë buxhetore që kemi”, ka thënë Hadërgjonaj./Zeri/