Masivizohen grevat në Kosovë

Aktuale January 22, 2019 - 08:03
Lexo Detajet
Image

Institucionet publike arsimore dhe një pjesë e personelit mjekësor në Kosovë tashmë janë në javën e dytë të grevës me kërkesën për rritje të pagave. Grevës së mësimdhënësve gjatë ditës së djeshme i është bashkangjitur edhe Universiteti i Prishtinës, derisa në greva kanë hyrë edhe të gjithë inspektorët e shëndetësisë. Ndërkohë që shërbyesit civilë në Qeveri kanë paralajmëruar se do të hyjnë në grevë nëse nuk do të kenë rritje të pagave, shkruan gazeta "Zëri".

Kështu as vendimi i së dielës i kryeministrit Ramush Haradinaj, vendim për ndarjen e 20 milionë eurove për rritjen e pagave në sektorin e arsimit, nuk i ka bindur ata që të heqin dorë nga grevat. Sipas këtij vendimi, për mësimdhënësit në shkollat e mesme do të ndahen nga 74.8 euro më shumë në muaj, për mësimdhënësit në arsimin fillor nga 46.8 euro më shumë, për mësimdhënësit në arsimin parashkollor nga 49.8 euro e po ashtu edhe për mësimdhënësit në shkollat speciale nga 49.8 euro më shumë në muaj.

LEXO EDHE: Sot vendoset për taksën

Megjithatë, Kryesia e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë (SBASHK) ka refuzuar ofertën e kryeministrit Haradinaj për këtë rritje të pagave. 

Derisa kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka vizituar disa shkolla e çerdhe gjatë ditës së djeshme ka thënë se Projektligji për Paga është denigrues.

Refuzimin e SBASHK-ut Haradinaj e ka konsideruar si të padrejtë. Ai në rrjetin e tij social “Facebook” gjatë ditës së djeshme ka thënë se vendimi për rritjen e pagave të mësimdhënësve sfidon kapacitetet buxhetore.

Në anën tjetër, ka pasur reagime edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës. Kryetari i këtij këshilli, Ymret Reshiti, ka thënë për gazetën se janë optimistë që greva do të ndalet. Ai ka bërë të ditur se ai së bashku me ministrin e Arsimit do të mbajnë një takim me udhëheqësit e SBASHK-ut, me qëllim që greva të ndërpritet dhe të vazhdojë procesi mësimor.

Pantina: Rritja e pagave në sektorë të caktuar është e gabuar

Anëtarja e Komisionit për Administratë Publike, Shqipe Pantina, ka thënë për “Zërin” se vendimi i Qeverisë për rritje të pagave për sektorë të caktuar është i gabuar.

Sipas saj, duhet të zbriten pagat e zyrtarëve të lartë në vend dhe të rriten ato të mësimdhënësve dhe të personelit mjekësor. “Mënyra si bëhet përcaktimi i rritjes së pagave me veprime të veçanta të Qeverisë është i gabueshëm. Ne duam që njëherë e mirë të përcaktohen koeficientët të cilët krijojnë një barazi mes pagës më të lartë dhe pagës më të ulët në sistemin publik. Propozimi im është që të zbriten pagat e zyrtarëve të lartë, duke filluar nga presidenti e kryeministri e deputetët dhe të rriten pagat e njerëzve profesionistë, siç janë arsimi dhe shëndetësia”, ka theksuar ajo.

Pantina ka vlerësuar se përparësi për rritje të pagave duhet të kenë shëndetësia dhe arsimi. “Ne kemi kërkuar rritje të koeficientit për punëtorët e shëndetësisë dhe të arsimit, sepse këto janë shtyllat kryesore të cilat ofrojnë shërbime te qytetarët. Natyrisht se edhe njerëzit që punojnë në administratë shtetërore duhet të vlerësohen, por përparësi kanë pozitat që ofrojnë shërbime drejtpërdrejt te qytetarët e këtu në radhë të parë janë shëndetësia dhe arsimi”, ka shtuar ajo.

Rritja e pagave të zyrtarëve të lartë ka revoltuar mësimdhënësit dhe mjekët

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Drita Millaku, ka thënë për “Zërin” se vendimi i kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagës së tij dhe të zyrtarëve të lartë të shtetit ka revoltuar mësimdhënësit dhe personelin mjekësor, të cilët po ashtu kanë kërkuar rritje të pagave. “Paralajmërimi i institucioneve që sot janë në greva ishte i mëhershëm, por ishte Qeveria ajo që i mbajti me premtime. Këta u irrituan në momentin që Qeveria në mënyrë arbitrare i ngriti të ardhurat e veta dhe ky ishte kulmi. Mësimdhënësit dhe mjekët u shfrytëzuan shumë duke i keqpërdorur në zgjedhje dhe kjo tani do t’i kushtojë shumë. Mirëpo, tani kemi edhe paralajmërime për greva të një kategorie tjetër, që qëndrojnë shumë keq me të ardhura dhe ata janë shërbyesit civilë”, ka thënë ajo.

Millaku ka vlerësuar se Qeveria ka keqpërdorur buxhetin e vendit. “Kur të bëhet një llogaritje e thjeshtë këta që na e udhëheqin vendit tonë qe 20 vjet na varfëruan dhe tani ua humbën edhe shpresën. Secila qeveri sapo erdhi filloi me keqpërdorimin e buxhetit, saqë sot të gjithë po shikojnë mundësinë të ikin nga këtu”, ka shtuar ajo.

KMDLNJ-ja kërkon ndërprerjen e grevave

Për vazhdimin e grevës së mësimdhënësve dhe të personelit mjekësor ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Në një njoftim për medie nga KLMDNJ-ja është thënë se SBASHK-u me këtë grevë po i shkel rëndë të drejtat e njeriut të nxënësve dhe të studentëve, duke e dëmtuar shumë sistemin arsimor.

Ndërsa sa i përket grevës në shëndetësi, KMDLNJ-ja ka vlerësuar se ajo po e rrezikon shëndetin e qytetarëve. “KMDLNJ-ja ka kërkuar që kjo grevë të ndërpritet urgjentisht, që prindërit t’i dërgojnë fëmijët në shkollë. KMDLNJ-ja reagon edhe kundër grevës në shëndetësi, duke thënë se kjo grevë rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e qytetarit dhe çdo mosdhënie e ndihmës mjekësore ose shmangie nga ky detyrim paraqet vepër penale, hiç asaj të përgjegjësisë morale dhe profesionale e që është sanksionuar me Betimin e Hipokratit”, është thënë ndër të tjera në reagim.

Cilësia në arsim e në shëndetësi, e dobët

Analisti politik Ramush Tahiri ka thënë për “Zërin” se cilësia në arsim dhe në shëndetësi është e dobët, andaj ai ka vlerësuar se me rritjen e pagave për punëtorët e këtyre dy sektorëve do të rritej edhe cilësia. “Koeficienti nuk është në rregull. Kosova ka nevojë për arsim dhe shëndetësi të mirë, si dhe ka nevojë për paga. Shëndetësia dhe arsimi janë shtyllat kryesore të zhvillimit të një vendi, i cili nuk shihet aty për aty, por shihet më vonë, sepse ky është investim afatgjatë. Për të pasur cilësi në këto dy fusha duhet të ketë investime strategjike. Cilësia është e dobët sepse privati makinerinë e ka më të mirë, mjetet i ka më të mira se spitalet tona”, ka thënë ai.

Tahiri ka fajësuar qeverinë “Haradinaj” për grevat të cilat po organizohen nga institucione publike të ndryshme. “Nëse populli hynë në grevë, nëse institucionet e ndryshme janë në grevë, ato nuk mund të jenë fajtore, por gjithmonë është Qeveria dhe politikat e saj të cilat nuk kanë arritur t’i rregullojnë koeficientët e institucioneve dhe të punonjësve, sepse konsiderohet se paga e mësuesit në krahasim me atë të atyre që punojnë në Qeveri dhe nivelit të shkollimi të mësimdhënësit ose të mjekut nuk është në harmoni me këto rregulla që i bën politika për të kategorizuar profesionet”, ka shtuar ai.