'Luftë' mes sindikatave për njohje kontributesh

Ekonomia June 09, 2018 - 08:06

Miratimi i Projektligjit për Mësimdhënësit e Viteve të ’90-ta, si dhe shqyrtimi i tij në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës ka ngjallur “luftë” mes punëtorëve të sindikatave tjera që po kërkojnë njohje të njëjtë kontributesh. Përfaqësuesit e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë kanë paralajmëruar padi për institucionet shtetërore nëse votojnë pro Ligjit për Mësimdhënësit e Viteve ’90-ta. Ndërsa përfaqësues të Sindikatës së Policisë po e ndiejnë veten të diskriminuar me veprimet seleksionuese të Qeverisë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Projektligji për Mësimdhënësit e Viteve të ’90-ta është bërë mollë sherri për përfaqësuesit e sindikatave tjera në Kosovë. Ata tashmë kanë filluar me adresimin e kërkesave të njëjta për Qeverinë e Kosovës, por po i pengon fakti se punëtorët që kanë punuar në sistemin paralel të viteve 1990-99 nuk po e gëzojnë mbështetjen e njëjtë nga institucionet shtetërore.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, në një prononcim për gazetën “Zëri” paralajmëron rreziqe në rast të kalimit të draftit të dytë të projektligjit në Kuvend. Syla ka paralajmëruar padi kolektive për institucionet që e aprovojnë këtë ligj. “Unë mendoj se miratimi i Projektligjit për Mësimdhënësit e Viteve të ’90-ta ka qenë një klientelizëm politik dhe nuk do të kalojë. Ky ligj që ka kaluar është diskriminues, antikushtetues dhe mbi të gjitha është antishtetformues. Si e tillë Federata Sindikale e Shëndetësisë kohën e fundit pasi ka kaluar ky draft në lexim të parë ua ka tërhequr vërejtjen kryeparlamentarit edhe kryeministrit, por edhe grupeve parlamentare që do ta votojnë nëse kjo kalon do të ballafaqohen me dy rreziqe”, ka deklaruar Syla. Sipas tij, rreziku i parë do të jetë padia kolektive ndaj institucioneve që aprovojnë këtë ligj. Ndërsa rreziku i dytë thotë se mund të parashtrohet përmes një pyetjeje që kanë zgjedhur. “Rreziku i parë është se do të shkojmë me padi kolektive ndaj institucioneve që aprovojnë këtë ligj dhe rreziku i dytë është pak më i rëndë. Do të bëjmë një pyetje shumë të thjeshtë. A thua punëtorët shëndetësorë kanë qenë me sistemin e Serbisë apo jo? Përfundimisht do të ngremë padi, por jo vetëm padi do të shkojmë shumë thellë e më thellë. Është një koment që zotërinjve nuk u kujtohet, i cili nuk i obligon instancat e Republikës së Kosovës tash t’i respektojnë ligjet e Serbisë. Andaj nëse këta e bëjnë këtë këta definitivisht po respektojnë ligjet e Serbisë atëherë të Millosheviqit”, ka theksuar tutje kryetari i FSSHK-së Ai thotë se i vjen keq që Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës (SBASHKU) po manipulon me 22 mijë punëtorë shëndetësorë. “Kjo është klientelizëm politik, janë 22 mijë punëtorë shëndetësorë. Mua më vjen keq që SBASHKU-u po manipulon me këta njerëz, po më vjen keq sepse i kam kolegë, por këtë po e bëjnë vetëm për poenë politikë. Dhe është për të ardhur keq”, ka përfunduar Syla.

Sindikata e Policisë: Jemi të diskriminuar nga Qeveria

Diskriminim të Qeverisë po e quajnë përfaqësuesit e Sindikatës së Policisë së Kosovës mosnjohjen e përvojës së punës së punëtorëve të tyre që kanë punuar në vitet e ’90-ta.

Kryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli, ka thënë për “Zërin” se nuk kanë lënë rrugë pa ndjekur për realizimin e kërkesave. Tasholli ironizon duke treguar se i ka mbetur vetëm edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara pa i adresuar ato. “Kjo që ka ndodhur me arsimin le të vazhdojë, është e drejtë të bëhen ato pagesa. Sa i përket lëmit tim, po flas drejtpërdrejt për policinë në vitet e ’90-ta e kemi lëshuar punën duke refuzuar pushtetin e Serbisë, ku ne kemi punuar në sistemin paralel me pushtuesin serb. Kemi pasur detyra konkrete nga Qeveria e Kosovës, kemi 100 dëshmi. Ne kemi bërë sigurimin e të gjitha universiteteve të Kosovës. Nuk ka polic që nuk është i maltretuar, i rrahur dhe i burgosur”, ka thënë Tasholli. Përfaqësuesi i policëve të Kosovës tregon edhe bisedat që ka realizuar deri më tani për këtë çështje. “Prandaj mosnjohja e përvojës së punës tek ne të viteve 1990-99, unë flas në emër timin dhe të kolegëve të mi, se jemi të diskriminuar nga Qeveria jonë për mospagesën e kësaj. Vetëm të shkojmë në Kombe të Bashkuara, me ministrin kam biseduar. Me ministrin e Punës po ashtu, me atë të Brendshëm veç në Kombe të Bashkuara s’kam shkuar ende. Jo s’thonë asnjë. Grupi Parlamentar për Çështje të Punës me 6 deputetë kam biseduar edhe ata janë të mendimit të ndodhë kjo”, ka shtuar tutje ai.

Ajdini: T’u njihet punëtorëve e drejta pa dallime

Kryesindikalisti i Bashkimit të Sindikatës së Pavarur të Kosovës (BSPK), i cili përfaqëson tërë sindikatat kërkon njohje të njëjtë të kontributeve për të gjitha kategoritë pa dallime. “Ne konfederatat, unë si kryesindikalist kërkoj që t’u njihet të gjithëve punëtorëve, pa dallim të sektorëve. Sepse punëtori është i barabartë para ligjit, para punës dhe para Zotit. Quhet diskriminim nga Qeveria nëse ajo dëshiron të diskriminojë punëtorin nga Qeveria jonë jo nga askush, së cilës punëtori i beson dhe Qeveria jonë ushqehet me djersën e tyre. Unë jam për të gjithë punëtorët që t’u njihet e drejta e viteve të okupatorit. Pa dallime”, ka thënë Ajdini në një prononcim për “Zërin”.

Gazeta “Zëri” ia ka përcjellë pyetjet me shkrim Zyrës së Kryeministrit për të kuptuar numrin e kërkesave që kanë marrë nga sindikatat tjera deri më tani, por nuk ka marrë përgjigje.

Rrezikun nga skemat pensionale të paralajmëruara për mësuesit që kanë punuar në vitet e ’90-ta dhe pensionet e parakohshme për Policinë e Kosovës e kishte paralajmëruar shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermuelen, në një intervistë dhënë “Zërit” muaj më parë. “Në të njëjtën kohë ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar për iniciativat e shpenzimeve sociale, siç është skema e propozuar e pensioneve për mësuesit që punonin në sistemin paralel në vitet 1990 ose skemën e pensionit të parakohshëm për forcat policore”. Këto do të krijonin detyrime të mëdha të pensioneve të pafinancuara, të cilat sistemi i pensioneve tashmë i pafinancuar në Kosovë thjesht nuk mund ta përballojë. Për më tepër, kërkesa për skema të ngjashme për profesione të tjera me siguri do të pasojë, duke vënë në rrezik buxhetin e Kosovës dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, pati deklaruar ai.

Kritika për të njëjtin projektligj kishte adresuar edhe Instituti për Studime të Avancuara (GAP) në një hulumtim të nxjerrë për ndikimin buxhetor të Ligjit për Punëtorët e Arsimit Shqip të Viteve ’90-ta, ku kostoja e ligjit për periudhën 2019-20 për këtë kategori pritet të jetë rreth 30.4 milionë euro ose për 16.1 milionë euro (114%) më e lartë se kalkulimet e MF-së. Të zëshëm kishin qenë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, që alarmuan se mund të rrezikohet stabiliteti makrofiskal i buxhetit shtetëror.