Shqiptarët 1 mijë padi për kompensim të dëmeve të luftës, serbët 100 mijë

Shqiptarët 1 mijë padi për kompensim të dëmeve të luftës, serbët 100 mijë

Ekonomia qershor 04, 2018 - 08:49
Lexoni më shumë detaje

Jahir Bejta, kryetar i organizatës për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, thotë se janë hartuar rreth 1 mijë padi të cilat janë refuzuar nga gjykatat, por që pas ankesave 400 sosh ndodhen për shqyrtim në Gjykatën e Apelit, 100 në Gjykatën Supreme dhe 50 në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm serbët e Leqinës së Skenderajt kërkojnë 500 mijë euro kompensim për dëme të luftës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Rreth 1 mijë kërkesëpadi janë hartuar nga organizata për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, selia e së cilës është në Skenderaj dhe janë dorëzuar nëpër gjykata, pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës, por të gjitha ato janë refuzuar nga gjykatat me arsyetimin se nuk mund të paditet një shtet tjetër.

Jahir Bejta, kryetar i OJQ-së “Ngritja e Zërit”, i tha Zërit se shpresën te paditësit e ka kthyer kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka premtuar se do t’i përkrahë të gjitha kërkesat e qytetarëve sa i përket kompensimit të dëmeve të luftës.

Bejta tha se kishte kërkuar një takim me kryeministrin e vendit, por që ky takim nuk ishte realizuar, pasi që siç tha Bejta, kryeministri nuk është njoftuar për kërkesën.

LEXO EDHE: Hetohen shkaqet e vetëvrasjeve të dy të miturave në Prizren

“Kryeministri nuk e ka ditur se ekziston një organizatë që merret me dëmet e luftës. Me shkresë i kemi kërkuar atij që të takohemi dhe ta diskutojmë çështjen e dëmeve të luftës. ‘Ngritja e Zërit’ është shoqatë profesionale për dëme të luftës. Në saje të kauzës kombëtare veprimtarinë profesionale të cilësisë së avokatit e kryen tërësisht falas. Mospërkrahja financiare nga niveli qendror dhe ai lokal ka ndikuar që të ketë ngecje, kurse palët (viktima) rrugëtojnë edhe me nga 100 kilometra në një drejtim për ta hartuar padinë për kompensim dëmi në Skenderaj”, ka sqaruar Bejta.

Ai ka thënë se refuzimi i kërkesëpadive nga Gjykata është për çdo gjykim.

“Derisa ne jemi në gjumë të thellë, serbët deri më tani kanë ngritur mbi 100 mijë padi për kompensim dëmi, kurse vetëm serbët nga Drenica kërkojnë dëmshpërblim në shumën prej 500 mijë eurosh, ose gjysmë miliardi euro. Deri më tani kemi hartuar rreth 1 mijë kërkesëpadi individuale dhe të njëjtat janë dorëzuar në gjykata themelore nga ana e të dëmtuarve, varësisht nga kompetenca territoriale ku është kryer krimi. Në saje të ankesave të parashtruara Gjykata e Apelit ka pranuar për shqyrtim 400 dosje, Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar 100 dosje sipas propozimit për revizion, kurse në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar 50 dosje, respektivisht kërkesa për vlerësim të ligjshmërisë”, ka precizuar kryetari i organizatës për kompensimin e dëmeve të luftës “Ngritja e Zërit”, Jahir Bejta.

Bejta ka sqaruar, duke iu referuar edhe ekspertëve të fushës, se KGJK-ja dhe Ministria e Drejtësisë kanë kërkuar nga gjykatat themelore refuzimin e padive për kompensim dëmi, ndërsa nuk kanë kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të ndërrohet norma juridike si në Kodin Penal, ashtu edhe në Kodin e Procedurës Penale.

“Nëse i referohemi mënyrës së sjelljeve të gjykatave themelore me rastin e pranimit të padive të para dhe ankesave për Gjykatën e Apelit lidhur me paditë e parashtruara, ‘Ngritja e Zërit’ ka të drejtë të dyshojë në interferimin nga lart para se të merren dosjet në shqyrtim. Fillimisht në muajin mars të vitit 2010 gjykatat themelore nuk i kanë pranuar fare paditë e palëve, kështu që palët paditëse janë obliguar që paditë t’i dorëzojnë përmes postës në mënyrë rekomande. Plot 3 vjet palët paditëse nuk kanë marrë asnjë informatë lidhur me paditë e parashtruara. Në korrik të vitit 2013 që të gjithë janë informuar se paditë e tyre janë hedhur si të pabazuara, duke u thirrur në jokompetencë. E me rastin e parashtrimit të ankesave në Gjykatën e Apelit në mënyrë të kundërligjshme është kërkuar taksa gjyqësore në shumën prej 30 eurove. Pas reagimit për mosharmonizimin e udhëzimit të KGJ-së sipas Ligjit mbi Kategoritë e Luftës është hequr taksa gjyqësore”, ka shpjeguar Bejta.

Ai ka ripërsëritur se ka dyshime në drejtësinë kosovare sa i përket shqyrtimit dhe trajtimit të kërkesëpadive për kompensimin e dëmeve të luftës, pasi që njerëzit në krye të institucioneve gjyqësore, siç thotë Bejta, “nuk kanë kredibilitet moral”, sepse ka nga ata që me vetëdëshirë kishin pranuar të punojnë sipas instruksioneve të shtetit okupues dhe të emërohen nga Republika e Serbisë edhe pas rrënimit të gjyqësorit të Kosovës në vitin 1992.

“Gjykatat e rregullta, si dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës kanë për obligim t’i zbatojnë ligjet vendore, por edhe normat e konventave ndërkombëtare edhe pse Kosova ende nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, duke pasur parasysh se përmes Kushtetutës konventat tani janë kategori ligjore e rendit juridik të brendshëm. Andaj Gjykata Kushtetuese ka për obligim mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në raport me Kushtetutën e vendit, njëkohësisht edhe në raport me konventat ndërkombëtare, pra si rast precedent”, ka sqaruar Bejta, duke precizuar se “të gjitha gjykata vendimet e tyre apriori i mbështesin vetëm në Nenin 18.3 të LPK-së, duke u thirrur në jokompetencë, ndërsa i ikin aplikimit të Nenit 28, paragrafët 1, 2 dhe 3 të LPK-së, neneve 47, 51, 60 dhe 61 të LPK-së, madje i shmangen aplikimit edhe të principit ndërkombëtar ‘për Loci’, drejtimi i aktpadive në bazë të vendit ku është kryer krimi e që bie ndesh me Nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.