Përfundimisht dështon projekti i fabrikës së sheqerit në Skenderaj
Foto: Laura Hasani

Përfundimisht dështon projekti i fabrikës së sheqerit në Skenderaj

Ekonomia shkurt 12, 2018 - 08:58

Kompania britanike “DarkStar” përfundimisht është tërhequr nga investimi 27-milionësh për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Dashefc të Skenderajt, e para e këtij lloji në Kosovë. Kësisoj, në Skenderaj dështon edhe një investim i huaj, pas atij të Parkut Teknologjik, për të cilin kompania sllovene “Tehnopolis” do t’i investonte 8 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Përfundimisht ka dështuar projekti i fabrikës së sheqerit në Dashefc të Skenderajt, një projekt 27-milionësh i kompanisë së njohur britanike “DarkStar”, i nënshkruar me Komunën e Skenderajt në qershorin e vitit 2015. Kësisoj, në Skenderaj dështon edhe një investim i huaj, pas atij të Parkut Teknologjik në afërsi të Fabrikës së Gjuetisë në Skenderaj, për të cilin kompania sllovene “Tehnopolis” ishte zotuar se do t’i investonte 8 milionë euro.

Fabrika e sheqerit, një investim i kompanisë britanike “DarkStar”, jo që nuk kishte filluar të ndërtohej në shkurtin e vitit 2016, ashtu siç ishte precizuar me marrëveshjen e nënshkruar në mes të kompanisë britanike “DarkStar” dhe Komunës së Skenderajt më 24 qershor të vitit 2015, por as pas 3 vjetëve nga nënshkrimi i kontratës, shkruan tutje "Zëri".

Në aktin e nënshkrimit të marrëveshjes merrte pjesë edhe ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O’Conell, i cili kishte thënë se i gëzohet faktit që biznesmenët britanikë do të investojnë në Kosovë, duke inkurajuar shtetin që investitorët e huaj të mbrohen, të përkrahen dhe të inkurajohen për të investuar në Kosovë.

LEXO EDHE: Sivjet përfundon projekti për kthimin e 1500 serbëve në veri

Prania e tij në aktin e nënshkrimit të marrëveshjes kishte forcuar edhe më shumë bindjen se projekti nuk do të dështojë, ndonëse Komuna e Skenderajt kishte përvojë të keqe, pasi që kishte dështuar projekti i Parkut Teknologjik vetëm pak kohë më përpara.

Gazeta "Zëri", është përpjekur t’i kërkojë arsyet e dështimit të projektit të fabrikës së sheqerit në Dashefc të Skenderajt, por nuk ka mundur të marrë asnjë përgjigje nga ish-pushtetarët e komunës së Skenderajt, ndërsa përfaqësues të kompanisë “DarkStar” nuk janë dukur më fare në Kosovës prej nënshkrimit të marrëveshjes me Komunën e Skenderajt.

Komuna kishte ndarë 11 hektarë

Me marrëveshjen e nënshkruar në mes të Komunës së Skenderajt dhe përfaqësuesve të kompanisë britanike “DarkStar” e ku merrte pjesë edhe ambasadori britanik Ruairi O’Conell, kompania britanike do t’i investonte 27 milionë euro për ndërtimin e fabrikës në të cilën do të gjenin punë 400 punëtorë, si dhe në mënyrë indirekte do të punësoheshin edhe deri 4500 vetë, bujq të kësaj ane.

Komuna e Skenderajt si partnere ka ofruar pronën e vet prej rreth 11 hektarësh.

Ky investim ishte parë si një model i një angazhimi të përbashkët për investime të huaja edhe për komunat e tjera. Përfaqësuesit e kompanisë “DarkStar” patën thënë se fabrika do të jetë gati për prodhim brenda 8 muajve, që i binte në shkurt të vitit 2016.

“Ne po shpresojmë që shumë shpejt të fillojmë ndërtimin e fabrikës. Ndërtimi i fabrikës do të fillojë në momentin që të përgatitet dokumentacioni nga ana e Komunës së Skenderajt. Panxharsheqeri do të kultivohet në sipërfaqe prej 40 mijë hektarësh të tokave të komunës së rajonit të Drenicës, por edhe të Kosovës”, patën thënë ata.

Ndonëse Komuna e Skenderajt, sipas Hajriz Kocit, ish-zëdhënës i Komunës së Skenderajt, kishte përgatitur gjithë dokumentacionin e nevojshëm me kohë, kompania britanike nuk është parë më në këtë pjesë të Drenicës.

11 hektarë të tokës Komuna e Skenderajt i kishte ndarë në Dashefc, i cili ishte vlerësuar si hapësirë shumë e përshtatshme për fabrikën e sheqerit.

Ambasadori britanik Ruairi O’Conell pas nënshkrimit të kontratës ishte shprehur me mirënjohje për Komunën e Skenderajt dhe për Qeverinë e Kosovës, tek të cilët britanikët kishin gjetur përkrahje.

“Është ditë e mirë për Kosovën, është ditë e mirë për Britaninë. Gëzohem gjithashtu që kanë ardhur investitorë britanikë dhe që kanë vendosur të investojnë në Kosovë. Jam i bindur se duke pasur investitorë Kosova do ta ketë një të ardhme më të ndritshme. Në jemi të gatshëm për t’i përkrahur, për t’i mbrojtur dhe për t’i inkurajuar investitorët nga të gjitha vendet e botës, në këtë rast të Britanisë. Kemi kërkuar përkrahje prej Komunës së Skenderajt e prej Qeverisë dhe kemi gjetur përkrahjen, edhe kemi bërë një punë të mirë. Shpresoj se do të vazhdojmë me angazhimet për t’i përkrahur investimet këtu”, kishte thënë mes të tjerash ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Conell. 

Dështon edhe Parku Teknologjik

Në anën tjetër, dështimi i Parkut Teknologjik në Skenderaj, një investim i kompanisë sllovene “Tehnopolis” nga Celja, sipas drejtoreshës së kësaj kompanie Sonja Rutar kishte ardhur për shkaqet gjeologjike e jo për shkak të mungesës së fondeve.

Rutar pati paralajmëruar fillimin e ndërtimit të Parkut Teknologjik, madje ishte zgjedhur edhe kompania ndërtimore “Europrojekt” nga Skenderaj, e cila kishte arritur vetëm ta rrafshojë dheun, por jo edhe më shumë. Kompania ndërtimore ishte urdhëruar që t’i ndërpresë punimet për të mos vazhduar më kurrë.

Për Parkun Teknologjik në Skenderaj, për të cilin “Tehnopolis” do t’i investonte 8 milionë euro, Komuna kishte ndarë 14 hektarë tokë.

Në këtë sipërfaqe ishte planifikuar t’i zhvillojnë veprimtaritë e tyre 33 biznese. Gjithashtu ishte planifikuar që të punësoheshin 500 punëtorë.

Komuna e Skenderajt, në anën tjetër, kishte porositur të gjitha bizneset, të cilat do të investonin në Skenderaj, se do të lirohen nga tatimet komunale për 5 vjet.

Kompania sllovene “Tehnopolis” me një park teknologjik të këtij lloji pati dështuar edhe në Shtime.