Ekonomia

Sivjet përfundon projekti për kthimin e 1500 serbëve në veri

Sivjet përfundon projekti për kthimin e 1500 serbëve në veri
12 shkurt 2018 • 08 : 35 Foto: Laura Hasani

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në një takim që ka pasur me një grup të serbëve të Kosovës në Beograd, të shtunën, ka siguruar se krahas shumë projekteve Serbia në vitin 2018 do të vazhdojë dhe do ta përfundojë projektin e vendbanimit për 1500 serbë në Zveçan. Për këtë projekt Serbia investon 2.5 milionë euro, ndërsa është kyçur edhe Kina, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Serbët e Kosovës kanë marrë premtime nga drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, se Serbia do të investojë shumë të madhe të mjeteve për serbët e Kosovës për t’i financuar një varg projektesh në të gjitha mjediset me popullate serbe.

Posaçërisht Gjuriq ka potencuar komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, në të cilat Serbia do t’i koncentrojë pjesën më të madhe të mjeteve.

Si projektin më të rëndësishëm, i cili do të vazhdojë dhe do të përfundojë gjatë këtij viti, Gjuriq e ka veçuar projektin për ndërtimin e vendbanimit të ashtuquajtur “Lugina e Diellit” në Zveçan, një lokacion fare pranë lagjes “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, por që i takon komunës së Zveçanit, në të cilin Serbia do t’i ndërtojë 300 shtëpi, shkruan tutje "Zëri".

Projekti i prezantuar me shumë pompozitet në Beograd, ku prezantonte edhe Kisha Ortodokse Serbe, ka filluar të realizohet vitin që shkoi, por që nuk ka shkuar me dinamikën siç ishin zotuar në Qeverinë e Serbisë për shkak të mungesës së mjeteve.

LEXO EDHE: MPJ-ja: ''Tërheqja'' e njohjeve, propagandë e Serbisë

Qeveria e Serbisë, sipas një njoftimi të Zyrës për Kosovën, në fillim të realizimit të projektit ka ndarë 2.5 milionë euro për këtë projekt, ndërsa në të është kyçur edhe Kina, e cila kishte premtuar se do të ndajë mjete për ta financuar projektin.

Përveç 300 shtëpive që do të ndërtohen, me projekt është planifikuar edhe ndërtimi i shkollës, i ambulancës, çerdhe fëmijësh, ndërkaq në këto shtëpi do të vendosen serbë të zhvendosur në pjesë të ndryshme të Serbisë.

Në anën tjetër, shqiptarët e Mitrovicës ndërtimin e vendbanimit “Lugina e Diellit” e shohin si tendencë për rikolonizimin e pjesës veriore të Mitrovicës dhe të Kosovës.

Halit Barani, kryetar i QR të KMLDNJ-së në Mitrovicë, i ka thënë “Zërit” se me ndërtimin e këtij vendbanimi për serbët që jetojnë në Serbi e të cilët do të vijnë për të jetuar në veri të Kosovës është duke u bërë rikolonizimi i pjesës veriore.

“Serbia është duke investuar në veri të Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në Zveçan për të ndërtuar vendbanime, ndërtesa të larta dhe shtëpi vetëm që të sjellë serbë. Serbia ka paguar shumë mjete për t’i blerë shtëpitë, banesat dhe pronat e shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës me të vetmin qëllim që atje të mos ketë shqiptarë dhe në vend të tyre të sjellë serbë. Ndërtimi i vendbanimit ‘Lugina e Diellit’ është kryekëput projekt i kolonizimi të asaj pjese”, ka thënë Barani.

Ndërkaq Marko Gjuriq u tha serbëve të Kosovës, të cilët e takuan në Beograd, se disa fabrika në Serbi do të hapin reparte në Kosovës, në të cilat do të punësohen serbët.

“Në vitin 2018 do t’i realizojmë disa projekte shumë të rëndësishme në Kosovë, në mesin e të cilave rinovimin e banjës në Banjskë të Mitrovicës, vazhdimin e projektit të vendbanimit ‘Lugina e Diellit’ për 1500 serbë. Do të realizohen projekte të infrastrukturës rrugore, do të ndërtohen dhe do të riparohen shtëpi të serbëve, do të ketë shkolla, do të financohet në bujqësi. Janë paraqitur shumë biznesmenë, të cilët nuk janë vetëm pasanikë, por edhe njerëz të thjeshtë, të cilat duan ta ndihmojnë popullin serb në Kosovë. Kjo tregon se zemra serbe rrah me një ritëm, se nuk do të zmbrapsemi nga ajo që të jemi të bashkuar dhe nga e drejta që të jemi zot në trojet tona, aty ku kemi qenë gjithmonë”, ka thënë Gjuriq.

Gjuriq shtoi se një fabrikë e këmishëve e Serbisë ka shprehur dëshirën që ta hapë një repart në Kosovë, si dhe një prodhues i radiatorëve nga Serbia dëshiron ta rinovojë një repart në rajonin e Anamoravës.

“Kjo është mënyra e vetme që t’u ndihmojmë serbëve të qëndrojnë në vatrat e tyre. Është ndjenjë fantastike kur e dini se nuk i jeni lënë vetvetes dhe se pas kësaj qëndron shteti i Serbisë”, ka vlerësuar Gjuriq.

Ndërkaq shefja e administratës në komunën e veriore të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, tha se janë disa projekte që financohen nga organizata gjermane “Help”, e cila do të mundësojë hapje të vendeve të reja të punës në veri të Mitrovicës.

Sipas saj, janë disa grante të cilat do t’u jepen pa kthim kryesisht bizneseve të vogla.

“Do t’i mbështesim të paktën 20 biznese lokale, përparësi do t’u jepet femrave afariste. Ato do të mbështeten me material dhe me mjete në vlerë nga 2 mijë euro. Jemi të interesuar që t’i ndryshojmë kushtet e jetesës në komunën tonë, kushtet në vetë qytetin e Mitrovicës. Njerëzit kanë nevojë për punë, kështu që do të përpiqemi të gjejmë edhe donatorë të tjerë potencialë që t’i mbështesin bizneset lokale”, ka thënë Hoxhiq. 

© zëri.info