Borxhet e serbëve të veriut për ujë arrijnë në 14 milionë euro

Ekonomia January 05, 2018 - 08:09

 

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për pagesën e borxheve të serbëve të veriut të Mitrovicës dhe të Zveçanit për ujin e shpenzuar. Kabineti qeveritar, pasi që paraprakisht është informuar për gjendjen financiare të kompanisë ujësjellësi rajonal “Mitrovica”, ka marrë vendim për t’i ofruar ndihmë financiare kësaj kompanie. Mësohet se rreth 14 milionë euro është vlera e faturave të ujit të shpenzuar, të cilat nuk janë paguar nga banorët serbë të këtyre komunave veriore që nga përfundimi i luftës. Siç thonë në kompaninë ujësjellësi rajonal “Mitrovica”, nëse nuk ndërmerren masa rrezikohet ndërprerja e prodhimit të ujit, pasi që gjendja është vështirësuar tej mase.

Fabrika për përpunimin e ujit që gjendet në Shipol, respektivisht KURM, është e vetmja kompani e licencuar që kryen veprimtarinë e furnizimit me ujë të pijshëm dhe mirëmbajtjen e kanalizimit në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen Mitrovica Jugore dhe ajo Veriore, Vushtrria, Skenderaj dhe Zveçani.

 1 milion euro ndihmë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka thënë se kjo ministri ka ndarë 1 milion euro për ndihmë dy kompanive të Mitrovicës, ujësjellësit rajonal “Mitrovica” 800 mijë euro dhe kompanisë për menaxhimin e mbeturinave “Uniteti” 200 mijë euro. Kjo ndihmë financiare, sipas ministrit Lluka, është ndarë për t’i tejkaluar vështirësitë financiare në të cilat ndodhen ato. Drejtori i kompanisë ujësjellësi rajonal “Mitrovica”, Sami Miftari, ka thënë se rreth 40 për qind të ujit e shpenzojnë komunat veriore dhe se serbët e asaj pjese nuk kanë paguar asnjëherë për ujin e shpenzuar. Sipas tij, mospagesa e faturave të ujit ka vështirësuar gjendjen financiare të kompanisë. Ai ka treguar se Qeveria e Kosovës herë -herë ka subvencionuar ujin e shpenzuar në veri të vendit, por prej vitit 2016, përveç në një rast kur janë paguar 300 mijë euro, Qeveria e Kosovës nuk ka paguar më asnjë cent.

“Herë pas here Qeveria e Kosovës ka ndihmuar subvencionimin e ujit që distribuojmë për veri, por tani nuk ka shprehur më interesim. Në vitin 2016 Qeveria ka subvencionuar për ujin e shpenzuar në veri me rreth 300 mijë euro për arsye se veriu i Mitrovicës dhe Zveçani marrin para nga buxheti i Kosovës, sikurse çdo komunë tjetër. Por, më asnjë cent nuk është derdhur në llogarinë e ujësjellësit”, i kanë thënë “Zërit” në ujësjellësin rajonal “Mitrovica”.

Në anën tjetër Miodrag Raliq, drejtor i Ujësjellësit në veri të Mitrovicës, ka thënë se vlerësimet për borxhet mbi 12 milionë - 14 milionë euro për ujin e shpenzuar nuk janë reale dhe se ato janë vetëm vlerësime paushall. Ai ka shtuar se nga Fabrika për përpunimin e ujit në Shipol furnizohen vetëm qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit. Raliq pohon se për problemet me furnizimin e ujit kontakton vetëm me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq dhe në asnjë mënyrë me drejtuesit e kompanisë ujësjellësi rajonal “Mitrovica” në jug. “Unë i raportoj vetëm kryetarit Rakiq, nuk komunikoj me askënd tjetër”, është shprehur drejtori i ujësjellësit në veri, Miodrag Raliq.

E gjatë verës që shkoi, kur për shkak të problemeve në jug zvogëlohej sasia e ujit për serbët e Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, kishte pranuar se problemi më i madh që shtyn kompaninë në jug për ristriksione janë borxhet që nuk janë paguar për ujin e shpenzuar, por ai pati kërkuar nga Zyra e BE-së në Prishtinë që t’i paguajë shpenzimet e ujit për qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit. 

 Hoxhiq: Për çështjen e borxheve të bisedohet në Bruksel

Ndërkaq, shefja e administratës komunale në komunën veriore të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, ka thënë se çështja e borxheve për ujin e shpenzuar të pjesës veriore duhet të trajtohet në Bruksel në kuadër të dialogut Prishtinë – Beograd. “Për çështjen e borxheve për ujë duhet të bisedohet në Bruksel në kuadër të dialogut në mes të Prishtinës dhe të Beogradit. Ky problem me borxhet duhet të zgjidhet atje”, është shprehur ajo.

Më herët në Qeverinë e Kosovës kanë shpjeguar se çështja e ujit të shpenzuar është më tepër çështje politike, me ç’rast ka intervenuar edhe BE-ja, e cila ka rekomanduar që borxhi i pjesës veriore të Kosovës të mbulohet nga buxheti i shtetit të Kosovës. 

Sami Miftari, drejtor i ujësjellësit rajonal “Mitrovica”, thotë se në disa raste kanë qenë të detyruar ta ndërpresin furnizimin me ujë të pijshëm në atë pjesë, por në raste të tilla kanë ndërhyrë bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës. “Në vitin 2016 kemi ndërprerë furnizimin më ujë disa herë për veriun, por strukturat komunale të veriut kanë thirrur në Beograd ose në Bruksel, Brukseli ka thirrur Prishtinën dhe në këtë mënyrë është alarmuar situata dhe Qeveria e Kosovës herë pas here ka paguar një pjesë të mjeteve”, ka shpjeguar drejtori i kompanisë ujësjellësi rajonal “Mitrovica”, Sami Miftari.

Ndryshe, kompania ujësjellësi rajonal “Mitrovica” faturon ujin për veriun e Mitrovicës dhe të Zveçanit me çmimin gati trefish më të ulët. Derisa për qytetarët e jugut një metër kub ujë faturohet me çmimin prej 48 centësh, për serbët e veriut një metër kub ujë faturohet me çmimin prej 17 centësh.

Veriut të Kosovës për çdo muaj i dërgohen rreth 377 mijë metra kub ujë nga Fabrika për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës. Për 377 mijë metra kub ujë veriut të Kosovës i faturohen 69.225 euro, ose rreth 800 mijë euro në vit. Faturimi nuk bëhet me qëllimin që të mblidhen mjetet për ujin e shpenzuar në atë pjesë, pasi që inkasimi në anën përtej Ibrit është i pamundshëm, por ai bëhet vetëm sa për të ditur se sa metra kub ujë i dërgohen pjesës veriore./ZËRI