Koreja e Veriut ndryshon flamurin për herë të parë në 78 vjet

Koreja e Veriut ndryshon flamurin për herë të parë në 78 vjet

Bota November 17, 2026 - 20:03

Koreja e Veriut ka ndryshuar flamurin e saj kombëtar për herë të parë që nga themelimi i shtetit më 1948, në kuadër të përpjekjeve të liderit Kim Jong Un për të riformësuar identitetin kombëtar të Republikës Popullore Demokratike të Koresë.

Neni 166 i Kushtetutës së Koresë së Veriut, ndryshimet e fundit të së cilës datojnë nga muaji mars, u bë publik më 13 nëntor dhe zbuloi se ishin ndryshuar zyrtarisht përmasat e flamurit. Raporti ndërmjet lartësisë dhe gjerësisë është ndryshuar nga 1:2 në 1:1.65.

Edhe pse dizajni karakteristik me ngjyrat e kuqe, të bardhë dhe të kaltër mbetet i njëjtë, gjerësia e flamurit është zvogëluar nga 200 në 165 centimetra, ose rreth 17 për qind, transmeton Telegrafi.

Ndryshimet u publikuan në platformën zyrtare të Koresë së Veriut, Naenara. Ndërkohë, mediumi i pavarur NK News raportoi se edhe vijat e bardha që rrethojnë pjesën kryesore të flamurit janë bërë pak më të trasha. Deri më tani nuk është bërë e qartë nëse këto ndryshime kanë ndonjë domethënie të veçantë simbolike.

Sipas Naenaras, drejtkëndëshi i kuq, që përbën pjesën më të madhe të flamurit, simbolizon gjakun e derdhur nga revolucionarët kundër Japonisë gjatë sundimit kolonial japonez, i cili përfundoi më 1945.

Shiritat e kaltër përfaqësojnë paqen botërore, kundërshtimin ndaj imperializmit dhe sovranitetin kombëtar, ndërsa rrethi i bardhë dhe ylli i kuq simbolizojnë besnikërinë ndaj Partisë së Punëtorëve, e cila qeveris vendin.

Ndryshimi i flamurit është pjesë e një serie reformash të gjera kushtetuese që Kim Jong Un ka ndërmarrë, me synimin për të riformësuar simbolet e identitetit shtetëror dhe për t'u distancuar nga ideja historike e një Koreje të bashkuar.

Në fund të vitit 2023, Kim deklaroi se marrëdhëniet mes dy Koreve duhet të konsiderohen si marrëdhënie mes dy shteteve “armiqësore”, duke hequr dorë nga ideja e ribashkimit si objektiv kombëtar.

Në janar të vitit 2024, Asambleja Supreme Popullore shfuqizoi disa institucione që merreshin me pajtimin mes dy vendeve, përfshirë Komitetin për Ribashkimin Paqësor të Vendit. Më vonë, Koreja e Veriut hoqi në Phenian Monumentin e Tri Kartave për Ribashkimin Kombëtar, ndërsa në tetor të po atij viti shkatërroi pjesë të rrugëve dhe hekurudhave që lidhnin dy shtetet.

Megjithatë, teksti i publikuar i Kushtetutës duket më i përmbajtur sesa deklaratat e drejtpërdrejta të Kim Jong Unit. Gjatë një fjalimi në janar 2024, lideri verikorean e cilësoi Korenë e Jugut si “armikun kryesor” dhe foli për mundësinë e përfshirjes së territorit të saj në Republikën Popullore Demokratike të Koresë në rast lufte.

Këto deklarata nuk janë përfshirë në tekstin zyrtar të Kushtetutës, ndërsa nuk është dhënë ndonjë shpjegim për këtë mospërputhje.

Neni 2 i Kushtetutës nuk përcakton koordinata gjeografike dhe nuk e zgjidh çështjen e kufirit detar të kontestuar prej kohësh mes dy Koreve në Detin e Verdhë. Ndërkohë, armëpushimi i vitit 1953, përmes të cilit u krijua Linja e Demarkacionit Ushtarak (MDL), vazhdon të jetë në fuqi dhe nuk është zëvendësuar nga ndonjë traktat paqeje.

MDL shërben si kufi jozyrtar mes dy vendeve, ndërsa Zona e Demilitarizuar (DMZ) përbën brezin ndarës përreth saj. Tensionet dhe aktiviteti ushtarak në këtë zonë janë shtuar, veçanërisht pasi ushtarë të Koresë së Veriut u panë duke kaluar për pak kohë kufirin në tri raste gjatë qershorit 2024, duke nxitur reagimin ushtarak të Koresë së Jugut.

“Ndryshimi kushtetues i Koresë së Veriut pasqyron atë që e kemi ditur gjatë tri viteve të fundit: se Koreja e Veriut nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me Korenë e Jugut”, kishte deklaruar më herët për Newsweek Edward Howell, autor i librit A New Axis of Upheaval: North Korea, Russia, China, Iran.

Viti 2024 solli edhe ndryshime në tekstin e himnit kombëtar të Koresë së Veriut. Kim Jong Un urdhëroi zëvendësimin e një pjese të tekstit që përmbante fjalën “samcholli”, një shprehje tradicionale që i referohet të gjithë Gadishullit Korean, me shprehjen “i sesang”, që përkthehet “kjo botë”.

Ndryshe nga Pheniani, Koreja e Jugut nuk ka ndërmarrë ndryshime të ngjashme në Kushtetutën e saj. Dokumenti kushtetues i vendit përcakton se shteti duhet të synojë ribashkimin paqësor, duke u mbështetur në rendin themelor të lirë dhe demokratik.

Sipas këtij përkufizimi, territori i Koresë përfshin të gjithë gadishullin, ndërsa shteti ka detyrimin të ndjekë objektivin e ribashkimit paqësor.