Bahreini rrëzon dronët iranianë pranë bazës amerikane

Bahreini rrëzon dronët iranianë pranë bazës amerikane

Bota November 17, 2026 - 15:01

Mbrojtja ajrore e Bahreinit ka penguar një sulm me dronë, sipas televizionit shtetëror të vendit, pasi Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) lëshoi një valë mjetesh ajrore pa pilot (UAV).

IRGC deklaroi të martën se “operacioni preciz” kishte në shënjestër një sistem radarësh amerikanë në bazën ajrore Isa, në Bahrein.

Sipas televizionit shtetëror iranian IRIB, sulmi ishte “pjesë e përpjekjeve për të kundërshtuar aktivitetet armiqësore të forcave amerikane në rajon”.

Në një deklaratë, ushtria amerikane bëri të ditur se dronët sulmues “u interceptuan pa shkaktuar dëme në pajisjet amerikane apo lëndime në personelin amerikan”.

Pas një alarmi të dërguar në telefonat e qytetarëve për një “kërcënim të mundshëm”, në kryeqytetin Manama u dëgjuan shpërthime, raporton Al Jazeera.

Ministria e Brendshme u bëri thirrje banorëve të “shkojnë në vendstrehimin më të afërt të sigurt”, ndërsa më vonë njoftoi se rreziku kishte kaluar përmes një mesazhi “gjithçka është e qetë”.

Ministria deklaroi se “masat parandaluese mbeten në fuqi” dhe u kërkoi qytetarëve të tregojnë kujdes.

Sulmi ndaj Bahreinit, ku ndodhet Flota e Pestë e Marinës Amerikane, vjen në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, e nisur më 28 shkurt, kanë ngecur.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Iranit mohoi një raport të CNN-it, i cili pretendonte se Teherani mund të kishte planifikuar shpërthimin e një “bombe të pistë” në Uashington, DC.

Zëdhënësi Esmaeil Baghaei i cilësoi këto pretendime si “të pabaza” në një reagim në X.

Ditët e fundit, Irani ka pretenduar se ka kryer sulme ndaj sistemeve amerikane të radarëve në Bahrein.