SHBA-së i ka kushtuar 25 miliardë dollarë lufta me Iranin, deri më tani
Lufta e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Iran ka arritur deri tani koston prej 25 miliardë dollarësh, bëri të ditur një zyrtar i lartë i Pentagonit, duke dhënë për herë të parë një vlerësim zyrtar për shpenzimet e konfliktit.
Deklarata u bë në një kohë kur vendi po i afrohet zgjedhjeve të mesmandatit, ku republikanët e presidentit Donald Trump përballen me sfida për të ruajtur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Ndërkohë, demokratët po përpiqen ta lidhin luftën e papëlqyer në Iran me çështjet e kostos së jetesës, duke shënuar rritje në sondazhet e opinionit publik, shkruan Reuters, transmeton Zeri.info.
Jules Hurst, zyrtar që ushtron detyrën e kontrollorit në Pentagon, u tha ligjvënësve në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve se pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve lidhet me municionet.
Megjithatë, ai nuk dha detaje nëse kjo shumë përfshin edhe kostot e parashikuara për rindërtimin dhe riparimin e bazave ushtarake në Lindjen e Mesme, të dëmtuara gjatë konfliktit.
Nga ana tjetër, kongresmeni demokrat Adam Smith, reagoi duke theksuar se kjo është hera e parë që jepet një shifër e tillë, pas kërkesave të vazhdueshme për transparencë.
Shuma prej 25 miliardë dollarësh është e barabartë me buxhetin vjetor të NASA, por mbetet e paqartë mënyra se si është llogaritur kjo shumë. Një burim kishte deklaruar më herët për Reuters se vetëm gjashtë ditët e para të luftës kishin kushtuar të paktën 11.3 miliardë dollarë. /Zëri