Inflacioni në Gjermani rritet në 2,9% që nga lufta në Iran
Rritja e çmimeve e shkaktuar nga lufta me Iranin vazhdoi të rrisë normën e inflacionit në Gjermani në prill. Çmimet e konsumit ishin 2.9% më të larta se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, pas 2.7% të regjistruara në mars, sipas Zyrës Federale të Statistikave bazuar në shifra provizore.
Herën e fundit që inflacioni arriti këtë nivel ishte në janar 2024; herën e fundit që norma ishte më e lartë se 3% ishte në dhjetor 2023, me 3.7%. Kostoja e energjisë dhe karburantit për familjet ishte të paktën 10.1% më e lartë në prill se një vit më parë. Që në mars, çmimet e energjisë në Gjermani ishin rritur me shpejtësi me 7.2%.
Çmimet e konsumit u rritën me gjithsej 0.6% midis marsit dhe prillit, bënë të ditur staticienët.
Ngushtica e Hormuzit: zinxhirët e furnizimit, të bllokuar
Aktualisht nuk vjen naftë përmes Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës zakonisht transportohet një e pesta e konsumit global të naftës. Kjo po shkakton mungesë, duke çuar në një rritje të çmimeve në tregun botëror.
"Për sa kohë që të qëndrojë i ndërprerë zinxhiri i furnizimit nga Gjiri Persik, presioni inflacionist do të rritet ngadalë, por me siguri," tha Ulrich Kater, ekonomisti kryesor në DekaBank. "Nëse rritjet e çmimeve do të vazhdojnë në gjysmën e dytë të vitit apo do të ulen varet vetëm nga hapja e Ngushticës së Hormuzit".
Meqenëse kostot e larta të energjisë rrisin kostot e prodhimit dhe transportit të kompanive, ekziston një shqetësim i konsiderueshëm se çmimet për ushqimet, restorantet dhe shërbimet do të vazhdojnë të rriten.
Çmimet e ushqimeve po rriten
Sipas të dhënave të zyrave të statistikave, rritja e çmimeve të ushqimeve u përshpejtua pak në 1.2% në prill. Në mars, çmimet e ushqimit ishin rritur me 0.9%.
Shërbimet, restorantet, të cilat kanë qenë nxitësit kryesorë të çmimeve për muaj me radhë, u rritën me 2.8% në prill krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Ekonomistët vlerësojnë se rritjet e çmimeve për biletat e avionit dhe pushimet me paketë kanë qenë një faktor vendimtar për këtë. Inflacioni bazë, duke përjashtuar energjinë dhe ushqimin – të cilit ekonomistët i kushtojnë vëmendje të veçantë – ra pak në prill, nga 2.5% në 2.3%. /DW