Lavrov: BE-ja dhe NATO-ja si Hitleri, po përgatisin luftë kundër Rusisë

Lavrov: BE-ja dhe NATO-ja si Hitleri, po përgatisin luftë kundër Rusisë

Bota June 24, 2022 - 14:24

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja po krijojnë një koalicion për të bërë luftë kundër Rusisë. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm rus, Serghei Lavrov, i cituar nga agjencitë ruse, duke komentuar dhënien e statusit të kandidaturës në BE për Ukrainën dhe Moldavinë.

Duke folur në një konferencë shtypi në Baku, pas një takimi me homologun e tij nga Azerbajxhani, Jeyhun Bayramov, Lavrovi tha se situata i kujton kohën para Luftës së Dytë Botërore, kur Hitleri bashkoi shumicën e vendeve evropiane për një luftë kundër Bashkimit Sovjetik.

“Kur Lufta e Dytë Botërore do të fillonte, Hitleri mblodhi shumicën e vendeve evropiane nën flamujt e tij. Tani BE dhe NATO-ja po mbledhin gjithashtu të njëjtin koalicion modern për luftën, dhe në përgjithësi, për luftë me Federatën Ruse. Ne do të vëzhgojmë nga afër situatën dhe me shumë kujdes”, tha ai.

I pyetur për dhënien e statusit kandidat për në BE Ukrainës dhe Moldavisë, Lavrovi tha se, ndryshe nga NATO-ja, BE-ja nuk është një organizatë ushtarake dhe kështu anëtarësimi në këtë strukturë nuk përbën kërcënim për Rusinë, shkruan a2cnn.

Por Lavrov gjithashtu vuri në dukje se Moska ka ndjekur hapat e BE-së dhe dyshon se “politika rusofobike” e bllokut do të shpërbëhet së shpejti.