Franca ndëshkon Ikea-n me 1 milion euro për spiunimin e punëtorëve

Franca ndëshkon Ikea-n me 1 milion euro për spiunimin e punëtorëve

Bota June 15, 2021 - 12:04

Një gjykata franceze e ka urdhëruar gjigantin suedez, Ikea, që të paguajë 1 milion euro gjobë, pasi kompania u shpall fajtore për spiunimin e stafit të saj në Francë.

Ish-shefi ekzekutiv i Ikea-s, Jean-Louis Baillot, u dënua me dy vite burgim me kusht dhe 50 mijë euro gjobë, shkruan BBC.

Dega e Ikea-s në Francë u zbulua se ka shfrytëzuar hetues privatë dhe oficerë policie për të grumbulluar të dhëna private nga stafi. Dëshmitë kishin dalë në pah që në vitin 2012.

E tronditur nga skandali, kompania kishte shkarkuar katër menaxherë dhe hartoi një kod të ri të mirësjelljes.

Në Gjykatën e Versajës u paraqitën 15 persona, përfshirë drejtues të lartë të kompanisë dhe ish-menaxherë të dyqaneve. Në gjyq dolën edhe katër policë, të akuzuar për dorëzimin e informatave konfidenciale.

Mbrojtja e të dëmtuarve ka kërkuar për 2 milionë euro gjobë kundër kompanisë Ikea, ndërsa ish-shefi ekzekutiv të dënohet me dy vite burgim, bashkë me dy vite burgim me kusht.

Rasti ka të bëjë me vëzhgimin e punëtorëve nga kompania në vitet 2009-2012. Skandali ishte ekspozuar nga gazetarët, ndërsa më pas sindikatat e punëtorëve ndërmorën veprime ligjore. Prokurorja shtetërore, Pamela Tabardel, tha se pjesë e vëzhgimit të paligjshëm ishin rreth 400 persona./express