Së paku tetë të vrarë në një depo të “FedEx”-it në Indianapolis
Foto: Mykal McEldowney / Twitter

Së paku tetë të vrarë në një depo të “FedEx”-it në Indianapolis

Bota April 16, 2021 - 09:35

Së paku tetë persona janë vrarë gjatë të shtënave në një depo të postës “FedEx” në Indianapolis të enjten mbrëma (sipas kohës lokale) dhe besohet që edhe dorasi të ketë kryer vetëvrasje, ka thënë policia, raporton NYT-i.

Policja Genae Cook e Departamentit Metropolitan Policor të Indianapolis u tha gazetarëve të premten në mëngjes (sipas kohës lokale) se “ishin disa persona me lëndime të shkaktuara nga arma e zjarrit” si pasojë e të shtënave.

Tetë persona vdiqën, duke përjashtuar dorasin, tha ajo, transmeton Zeri.info.

Të tjerë “janë transportuar në spitale të ndryshme nëpër zonë”, shtoi Cook.

Ajo tha se dëshmitarë në vend të ngjarjes ende po merren në pyetje nga detektivë dhe s’mund të kontaktojnë me familjet e tyre.

Oficerja Cook tha se policia ende po punon në identifikimin e dorasit dhe se asnjë nga ligjzbatuesit nuk është lënduar.

“Do të marrë kohë deri në zbardhjen e rastit”, shtoi ajo.

Punëtorët e “FedEx”-it nuk lejohen t’i përdorin telefonat e tyre derisa janë në ambientet e depos, prandaj askush s’ka mundur të mësojë asgjë mbi fatin e më të dashurve të tyre. /Zëri