Ndërtimi i 5 xhamive që zbulon evazionin fiskal (Foto)

Aktuale July 20, 2016 - 08:26

Një xhami tashmë ka përfunduar në Kralan të Gjakovës. Xhamia në Vitomiricë dhe ajo në Staradran të Istogut janë në përfundim e sipër, pavarësisht se banorët i kundërshtuan këto objekte të kultit. Në Lumbardh po hapen themelet e xhamisë së re. Banorëve ajo nuk po u bën aq përshtypje. Këto, por edhe xhamia në Stankovc tek Drenasi, janë ndërtuar nga donatorët arabë të ndërmjetësuar prej Institutit të Mendimit dhe Qytetërimit Islam. Ndërtimi i tyre ka hapur dyshime për evazion fiskal

Katër xhami janë në ndërtim dhe një sapo ka përfunduar në Kosovë me paratë që për ndërtimin e këtyre objekteve të kultit ka ndërmjetësuar Ramiz Zekaj, nga Peja.

Zekaj, që është i njohur i kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, është drejtor i Institutit të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, me seli në Tiranë.

Zekaj duke siguruar donacione nga vendet arabe ka ndërmjetësuar në ndërtimin e xhamisë në Vitomiricë të Pejës, xhami e cila ishte kundërshtuar nga banorët, por edhe nga Drejtoria e Urbanizmit të Pejës, shkruan sot gazeta "Zëri".

LEXO EDHE: Bahtiri: Më mbështesin ndërkombëtarët, jo Qeveria

Pos këtij objekti të kultit, edhe xhamia në Staradran të Istogut është në përfundim e sipër të punimeve falë iniciativës dhe donacioneve arabe që ka sjellë në Kosovë Sadik Zekaj.

Në xhaminë e Staradranit ka pasur disa probleme. Përfaqësuesit e BIK-ut në Istog thonë se disa banorë kishin tendencë të uzurpimit të disa pronave në atë hapësirë, andaj edhe kundërshtonin ndërtimin e xhamisë.

Ekipi i “Zërit” ka qenë në fshat, por banorët nuk kanë preferuar të flasin lidhur me xhaminë.

BIK-u i Pejës porositi materiale për ndërtimin e xhamisë që është në kuadër të BIK-ut të Istogut

Në Kralan të Gjakovës, banorët tregojnë se iniciativa për xhami ka gjetur mbështetje tek fshatarët. “Një banor ka lëshuar truallin dhe askush nuk ka pasur arsye të kundërshtojë ndërtimin e xhamisë”, thotë një banor i fshatit, tek e shoqëron ekipin e gazetës “Zëri” në afërsi të xhamisë së sapondërtuar në fshat.

Në Lumbardh të Deçanit vetëm një rrugë ndan varrezat e fshatit me themelet e sapohapura të xhamisë. Të martën aty nuk kishte njeri duke punuar.

Një fshatar i Lumbardhit kujdeset për kafshët e tij që kullosin jo larg vendit ku janë hapur themelet e xhamisë. Ai nuk preferon të thotë emrin. Por, tregon se së shpejti pritet që aty të vazhdojnë punimet. “Janë kryer krejt procedurat. Shumë shpejt kanë me fillue me punu… Për ne s’çon kurrfarë peshe kjo punë”, thotë ai, duke u shprehur se fshatarët kanë edhe nevoja tjera.

Me ndërmjetësimin e Zekajt po ndërtohet edhe një xhami tjetër në Stankovc të Komoranit. Gazeta ka bërë përpjekje disa ditë për të biseduar me Zekajn, por kjo ka qenë e pamundur.

Shuma e këtyre xhamive, siç ka thënë për “Zërin” Ministër Jusaj, pronar i “Jusaj-Metal”, kalon vlerat milionëshe. Jusaj është kontraktuar nga BIK-u për të furnizuar me materiale të nevojshme ndërtimore për xhamitë.

Por, doganat e Kosovës kanë vënë dyshime se ka pasur abuzime dhe se në emër të xhamive janë sjellë materiale ndërtimore që kanë pasur destinime tjera.

Zyrtarë të BIK-ut në Pejë, madje kanë bërë porosi për t’u liruar materialet nga TVSH-ja edhe për xhaminë e Staradranit, e cila është në kuadër të BIK-ut në Istog.

Por, derisa kryetari i BIK-ut në Pejë, Musli Arifaj, ka thënë se xhemati i Staradranit është me BIK-un e Pejës, në Istog thonë të kundërtën.

Sekretari i BIK-ut në Istog, Rexhep Zymeraj, ka thënë se xhamia e Staradranit është në kuadër të BIK-ut në Istog.

Të njëjtën e ka thënë edhe Avni Gashi, kryetar i sapozgjedhur i BIK-ut në Istog. Vijë ndarëse mes Pejës dhe Istogut mbetet Drini i Bardhë, që kalon përmes fshatit Dubovë.

Ndërmjetësuesi i ndërtimit të xhamive synon ndërtimin e një kompleksi turistik në Pejë

Ndërkohë, ndërmjetësuesi i ndërtimit të këtyre xhamive, Ramiz Zekaj, kishte marrë me herët leje për një depo bujqësore në Pejë. Ai po planifikon edhe ndërtimin e një kompleksi të madh turistik me donatorë të Emirateve të Bashkuara ne Pejë.

Kjo është konfirmuar edhe nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Ndërkohë, ky i fundit i ka dhënë leje ndërtimit të xhamisë në Vitomiricë të Pejës, edhe pse ajo ishte kundërshtuar nga banorët dhe ishte refuzuar leja nga Drejtoria e Urbanizmit në Pejë. Disa muaj pasi kishte dhënë lejen për ndërtimin e xhamisë kreu i Pejës ka udhëtuar në Dubai, me shpenzimet e donatorit që ka bërë edhe ndërtimin e xhamisë së Vitomiricës.

Udhëtimi ishte bërë përmes ndërmjetësit Ramiz Zekaj. Muhaxheri ka thënë se ka udhëtuar në Dubai për të “zbuluar” nëse donatorët kanë të bëjnë me ekstremizmin.

“Kam shkuar në Dubai pasi janë dëgju fjalë dhe janë ngritur dyshime lidhur me donatorët. Sepse këta tash tërë kohën e kanë pas atë idenë se këtu paret janë duke shkuar për ekstremizëm, për terrorizëm. Kanë me ardhë ekstremistat këtu dhe kanë me ba çmos. Çka veç më ka shty si kureshtje, hajde ta dimë qysh është kjo punë”, ka arsyetuar Muhaxheri udhëtimin e tij.

 

Image
Xhamia në Kralan të Gjakovës
Image
Xhamia në Saradran të Istogut
Image
Xhamia në Vitomirice të Pejës