Bahtiri: Më mbështesin ndërkombëtarët, jo Qeveria

Aktuale July 20, 2016 - 08:18

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se ka pasur vazhdimisht mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, por jo edhe të Qeverisë së Kosovës, të cilën e quan të ligë

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka organizuar një drekë zyrtare me gazetarë, ku ka folur për problemet me të cilat përballet si kryetar, por edhe për rezultatet e arritura gjatë qeverisjes së tij me Mitrovicën.

Ai ka thënë se ka ardhur koha që me vendin të qeverisin biznesmenët, të cilët dinë ta zhvillojnë vendin.

“Në vitet e ’90-a ai që nuk e ka mbështetur Rugovën nuk ka pasur gjak shqiptari, gjithashtu ata që nuk e kanë mbështetur luftën e UÇK-së, gjithashtu nuk kanë pasur gjak shqiptari. Koha e politikanëve ka kaluar, tani është koha që me vendin të qeverisin biznesmenët, njerëzit e suksesshëm në botën e biznesit. Ata dinë si të zhvillohet vendi”, ka thënë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, shkruan sot gazeta "Zëri".

Stabilizimi i situatës në veri

Ai tha se ka bërë dhe është duke bërë punë të mira për Mitrovicën dhe qytetarët e saj, por nuk ka treguar se çfarë punësh të mira është duke bërë.

“Jam duke bërë punë të mira për Mitrovicën dhe qytetarët e saj, por ato punë të mira do të dihen më vonë. Janë vetëm tre veta në Kosovë që dinë për punët e mira që jam duke bërë”, theksoi ai.

LEXO EDHE: Demarkacioni, arsyeja për zgjedhje

I pari i Mitrovicës së Jugut tha se asnjëherë nuk e ka pasur mbështetjen e Qeverisë së Kosovë, ndonëse siç tha ai, sa herë që takohet me kryeministrin dhe me ministrat ata e dëgjojnë mirë.

“Kryetari i Mitrovicës ka probleme të veçanta. Ai nuk mund t’i zgjidhë problemet pa e pasur mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe të Qeverisë së Kosovës. Unë fatmirësisht e kam pasur mbështetjen e parezervë të institucioneve ndërkombëtare. Përfaqësuesit e këtyre institucioneve kanë qenë përkrah meje sa herë që unë kam kërkuar. Në anë tjetër, nuk kam pasur asnjëherë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për asnjë problem me të cilin jam ballafaquar. Kjo Qeveri është e ligë dhe nuk mund të bëjë asgjë të mirë për vendin. Për veriun unë jam kryeministër, sepse Qeveria e Kosovës nuk është ballafaquar me problemet në atë pjesë. Ata më kanë lënë vetëm dhe unë them se për atë pjesë unë jam kryeministër. Më e rëndësishme ka qenë që të stabilizohet situata në veri dhe unë kam arritur që ta stabilizoj situatën. Qeverisja e kaluar e Mitrovicës ka ndërtuar shumë shtëpi në veri të Mitrovicës për njerëzit që nuk kanë jetuar kurrë në atë pjesë, ndërsa nuk ka ndërtuar shtëpi për njerëzit e dëbuar nga veriu i Mitrovicës, të cilët këmbëngulin që të kthehen në pronat, banesat dhe në shtëpitë e tyre prej nga janë dëbuar. Janë mbi 12 mijë shqiptarë të asaj pjese të Mitrovicës, të cilët janë dëbuar me dhunë dhe nuk po mund të kthehen. Unë kam arritur që në heshtje të investoj për ndërtimin e disa shtëpive të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës dhe tani njerëzit janë vendosur në ato shtëpi”, ka thënë Bahtiri.

“Jam kryeministër i Kosovës për veriun”

Ai u shpreh se ka mbetur krejtësisht vetëm pa mbështetjen e Qeverisë së Kosovës edhe me rastin e definimit të kufirit në mes të dy komunave të Mitrovicës.

“Në Bruksel vetëm unë jam marrë me problemet e Mitrovicës, me urën dhe barrikadën mbi urë, as kryeministri dhe askush tjetër. Atje jemi marrë vesh që të nënshkruhet memorandumi për definimin e kufirit, si dhe që të bëhet rivitalizimi i urës, e cila do të hapej pastaj për lëvizje të qytetarëve dhe të automjeteve, duke përfshirë edhe largimin e barrikadës dhe unë kam menduar se më nuk do të ketë probleme që këto të realizohen. Por problemi ka dalë me kufijtë, ne kemi pasur hartën me kufirin e definuar, ndërsa serbët kanë zbritur në rrjedhjen e lumit, duke pretenduar që aty ta vendosin kufirin. Këtë unë nuk e kam pranuar, sepse kufiri është definuar me Pakon e Ahtisaarit dhe nuk do ta pranoj kurrë”, sqaroi kryetari i Mitrovicës, i cili ia zë për të madhe Qeverisë së Kosovës që nuk e ka lëvizur as “gishtin e vogël” për të ndërhyrë, për ta treguar fuqinë e vet dhe të shtetit që pretendon se ka sovranitet edhe në pjesën veriore të Kosovës. “Për këtë arsye them se kryeministër i Kosovës për pjesën veriore jam unë, sepse askush nuk del për t’u marrë me problemet atje, përveç meje”, ka ripërsëritur ai. 

I pari i Mitrovicës është shprehur i sigurt se secili investitor, i cili shpreh vullnetin për të investuar në Mitrovicë apo edhe në Kosovë dëshiron ta sigurojë një partner vendor, i cili do të jetë i gatshëm që të investojë të paktën 20 për qind nga investimi i përgjithshëm. Pas Fabrikës për Përpunimin e Kërpudhave, e cila ka filluar prodhimin në fshatin e tij në Gushavc, Bahtiri tha se të mërkurën nga Selaniku do të hyjë në Kosovë dhe do të vendoset në Mitrovicë një kontingjent i makinave të kompanisë më të fuqishme dhe më të madhe në botë.

“Të mërkurën, nga Selaniku do të niset një kontingjent i makinave të një kompanie prodhuese, e cila është më e madhe dhe më e fuqishme në botë, e cila prodhon një produkt të veçantë e që ky produkt do të përbëjë 33,8 për qind të eksportit të prodhimeve në Kosovë. Policia do të vihet në përcjellje të këtij kontingjenti të makinave, rrugët do të bllokohen sepse duhet të lirohet rruga për të kaluar”, tha Bahtiri, i cili nuk tregoi se për cilën kompani më të fuqishme në botë bëhet fjalë.