Mustafa: Rashic po e tepron, Vucic nuk vendos për transformimin e FSK’së
Kryeministri Isa Mustafa thotë se janë aleatët e Kosovës ata që vendosin për transformimin e FSK’së dhe jo Serbia. Duke i komentuar deklaratat e Rashic, se Vucic vendos për këtë çështje, Mustafa tha se Rashic po e tepron shpesh me vlerësime.
“Mendoj se Rashic po e tepron nganjëherë me disa vlerësime të vetat sepse në asnjë rast nuk do të vendos Vucic për forcat e armatosura, do të vendosin aleatët tanë dhe miqtë tanë perëndimorë të cilat na kanë ndihmuar deri më tani ta bëjmë këtë FSK ashtu si e kemi bërë që u përngjanë ushtrive më të mira edhe të kësaj pjesë të Ballkanit por edhe Europës që është e gatshme për një minutë të transferohet në Forcë të Armatosur pas asnjë problem”, tha Mustafa për ‘Debat’ në RTK.
Tha se Kosova i ka bërë të gjitha përgatitjet për një transformim të tillë.
"Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet sa i përket transformimit edhe përgatitjet e ndryshimit të Kushtetutës dhe të ligjit mbi Forcat e Armatosura. Kemi bisedu disa herë edhe me komunitetin serbë sepse aty e kemi, mos të them pengesën, por e kemi shkakun kryesor që kjo çështje nuk ka kaluar", tha Mustafa.