Gjykata e Beogradit lëshon urdhërarrest për Milan Radoiçiqin

Gjykata e Beogradit lëshon urdhërarrest për Milan Radoiçiqin

Aktuale November 17, 2026 - 16:16

Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit deri në 30 ditë dhe ka lëshuar urdhërarrest për Milan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili po hetohet për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë.

Lajmi është konfirmuar për televizionin N1 nga Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa është bërë e ditur se masa e paraburgimit llogaritet nga dita dhe ora e arrestimit të tij.

Vendimi për paraburgim dhe lëshimin e fletarrestimit është marrë pasi Radoiçiqi nuk është paraqitur në stacionin policor më 15 nëntor, siç ishte kërkuar.

Radoiçiqi është i akuzuar në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë, ku më 24 shtator 2023, në veri të Kosovës, ndodhi një sulm i armatosur, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Sipas aktakuzës, Radoiçiqi dyshohet se nga janari i vitit 2023 deri më 24 shtator të po atij viti kishte siguruar armë, municion dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla e Bosnjë e Hercegovinës, të cilat fillimisht dërgoheshin në territorin e Beogradit.

Më pas, sipas pretendimeve të Prokurorisë, këto armë i kishte transportuar dhe magazinuar në lokacione të pacaktuara në Kosovë, duke i fshehur në objekte të braktisura dhe në zona pyjore.

Ai dyshohet se, si udhëheqës i një grupi me disa persona të tjerë, përmes veprimeve të përbashkëta kishte shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve në Banjskë më 24 shtator.

Në kohën e sulmit, Radoiçiqi ishte nënkryetar i Listës Serbe.

Ai dha dorëheqje nga kjo pozitë pesë ditë pas ngjarjes, pasi përmes avokatëve të tij kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit.