Pas aktgjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Qeveria kritikon Specialen për transparencën dhe standardet e gjykimit
Qeveria e Kosovës ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në Dhomat e Specializuara në Hagë, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në reagimin e publikuar të martën, Qeveria ka theksuar se pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit, por ka bërë të ditur se kjo nuk e përjashton të drejtën për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
Qeveria ka ritheksuar rezervat e saj ndaj Dhomave të Specializuara, veçanërisht në aspektin e transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë.
“Besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato”, thuhet në reagim.
Më tej, Qeveria ka theksuar se angazhimi për sundimin e ligjit dhe respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale janë pjesë e të njëjtit qëndrim parimor.
“Drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme”, përfundon reagimi. /Zëri