Anëtarësimi i Kosovës në NATO, vlerësohet përparimi i FSK-së
Anëtarësimi në NATO mbetet një nga synimet strategjike të Kosovës, por rruga drejt Aleancës kushtëzohet nga një sërë faktorësh politikë dhe ushtarakë. FSK-ja ka shënuar progres në modernizimin e armatimit, edukimin ushtarak dhe përgatitjen profesionale, ndërsa pjesëmarrja në misione ndërkombëtare dëshmon gatishmërinë për të kontribuar në sigurinë kolektive. Megjithatë, përtej kapaciteteve ushtarake, rruga drejt NATO-s mbetet e lidhur edhe me vendimmarrjen dhe mbështetjen politike të vendeve anëtare.
Anëtarësimi në NATO për Kosovën nuk përfaqëson vetëm një objektiv politik, por një orientim strategjik që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të vendit. Për të arritur deri te ky synim, Kosova duhet të dëshmojë se është e përgatitur në të gjitha nivelet, nga funksionimi institucional e deri te aftësitë e saj mbrojtëse.
Në këtë kuadër, vëmendje e veçantë i është kushtuar zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës,përmes modernizimit të armatimit, rritjes së kapaciteteve operacionale dhe ngritjes së përgatitjes profesionale të pjesëtarëve, duke synuar përafrimin me doktrinën dhe standardet e Aleancës Veri-Atlantike.
Se integrimi në NATO mbetet synim i qartë i Kosovës, e ka rikonfirmuar edhe kryeministri Albin Kurti në bashkëbisedimin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ai ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Aleancë do të ishte kontribut i drejtpërdrejtë për paqen e qëndrueshme dhe sigurinë afatgjatë, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në mbarë Evropën.
Në këtë rrugëtim, një nga dëshmitë më konkrete të përgatitjes së vendit është transformimi dhe zhvillimi i FSK-së. Anëtarë të Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes vlerësojnë se Forca ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, veçanërisht në edukimin ushtarak, pajisjen me armatim dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga NATO-ja.
" FSK edhe ushtarakët e saj sot kanë kaluar të gjitha testet që janë të gatshëm me qenë pjesë të Aleancës, duke filluar prej edukimit që edukimi është mbi standardet e NATO, duke filluar prej armatimit, FSK sot nuk blen armatime nëse nuk janë standard të NATO. Këto janë disa kapacitete që kërkohen. Nëse e shohim rrugën e integrimit në Nato, integrimi në NATO ka qenë një fazë e planifikume për tejkalimin e shteteve të lindjes në veriperëndimore dhe FSK dhe Kosova ka kaluar në disa faza dhe është shumë mirë në proces të integrimit në NATO", Ilir Qeriqi, anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, LVV
Por, gatishmëria e një ushtrie nuk përkthehet automatikisht në anëtarësim në NATO. Për Kosovën, përveç zhvillimit të kapaciteteve ushtarake, mbetet vendimtare edhe mbështetja politike . Këtë dallim e vejnë në pah anëtarë të tjerë të Komisionit për Siguri.
" Integrimi ne NATO është një proces i cili nuk varet vetëm nga FSK sepse NATO është organizatë politiko-ushtarake që i bie që sa i përket FSK dhe progresist të saj ndoshta to të ishim deri më tani edhe pjesë e NATO, krahasuar me shumë ushtri të rajonit të cilat veç se janë pjesë e NATO mirëpo janë çështje edhe politike", Fadil Hadergjonaj, anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes , LDK.
Përtej zhvillimit të kapaciteteve ushtarake, Kosova dhe pjesëtarët e FSK-së kanë dëshmuar gatishmërinë për të kontribuar në sigurinë kolektive, në përputhje me misionin dhe vlerat e NATO-s. Kjo është dëshmuar edhe përmes pjesëmarrjes në misione ndërkombëtare të sigurisë dhe paqeruajtës, në bashkëpunim me partnerët perëndimorë./RTK