Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë sërish protestë
Foto: Laura Hasani

Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë sërish protestë

Aktuale November 13, 2026 - 21:03

Sindikata e Re e Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka paralajmëruar një protestë më 19 nëntor në Prishtinë, përmes së cilës do të kërkojë ngritjen dhe nivelizimin e pagave, si dhe realizimin e pagës së 13-të për të gjithë punëtorët.

Sipas njoftimit të sindikatës, protesta do të nisë në orën 11:00, ndërsa kërkesat e punëtorëve mbeten të pandryshuara deri në përmbushjen e tyre.

“Kërkesat tona mbeten të njëjta deri në realizimin e tyre: ngritja dhe nivelizimi i pagave për punëtorët e KEK-ut dhe realizimi i pagës së 13-të për të gjithë punëtorët e KEK-ut”, thuhet në njoftim.

Sindikata ka theksuar se protesta është vazhdimësi e përpjekjeve të punëtorëve për të realizuar kërkesat e tyre.

“Kjo protestë është vazhdim i zërit të punëtorëve dhe i kërkesave tona legjitime”.

Po ashtu, u është bërë thirrje të gjithë punëtorëve të KEK-ut që t’i bashkohen protestës dhe të qëndrojnë të vendosur në kërkesat e tyre.