Heroina Telaku, ambasadorja e parë e Kosovës në Kolumbi
Heroina Telaku është bërë ambasadorja e parë e Republikës së Kosovës, e akredituar në Republikën e Kolumbisë, pasi ka paraqitur zyrtarisht letrat kredenciale.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Telaku, përmes një postimi në Facebook, ku ka ndarë emocionet nga ceremonia dhe rëndësinë e këtij momenti për përfaqësimin diplomatik të Kosovës në këtë shtet të Amerikës Latine, transmeton Zeri.info.
Ajo e ka cilësuar këtë ngjarje si një moment të veçantë në karrierën e saj diplomatike, duke theksuar se përfaqësimi i Kosovës mbetet një përgjegjësi dhe krenari e veçantë.
“Pavarësisht viteve në diplomaci, ndjenja kur përfaqësoj Kosovën mbetet po ajo. Sepse për mua, Kosova nuk është thjesht vendi që përfaqësoj, por një pjesë e pandashme e asaj që jam, e historisë sonë dhe e ëndrrave që kemi për të ardhmen”, ka shkruar Telaku.
Në postimin e saj, ambasadorja ka vlerësuar edhe kontributin e kolegut Artan Duraku, i cili si i ngarkuar me Punë kishte përgjegjësinë për hapjen e misionit diplomatik të Kosovës në Bogota.
Telaku ka thënë se Duraku, përmes punës dhe përkushtimit, ka ndërtuar themelet e përfaqësimit diplomatik të Kosovës në Kolumbi, mbi të cilat ajo tashmë do të vazhdojë angazhimin e saj.
Ajo ka theksuar se këtë kapitull të ri diplomatik e nis me përkushtim për forcimin e marrëdhënieve dhe përfaqësimin e Kosovës në Kolumbi. /Zëri