KEK-u nis procesin e startimit të Njësisë A4 për sot

KEK-u nis procesin e startimit të Njësisë A4 për sot

Aktuale November 13, 2026 - 09:58

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit ka nisur procesi i startimit të Njësisë A4 të termocentralit “Kosova A”.

Sipas KEK-ut, procesi i startimit është fazë e domosdoshme teknologjike për rikthimin në operim të njësive që punojnë me linjit.

Gjatë ngrohjes graduale të kaldajës dhe stabilizimit të procesit të djegies, tymi që del nga oxhaku mund të jetë përkohësisht më i dukshëm. Kjo fazë për Njësinë A4 pritet të zgjasë rreth tri deri në katër orë.

KEK-u ka kërkuar mirëkuptimin e banorëve të zonës dhe të Komunës së Obiliqit, duke theksuar se e kupton shqetësimin që mund të shkaktojë tymi i dukshëm gjatë kësaj periudhe.

“Pas përfundimit të procedurave të startimit, Njësia A4 pritet të sinkronizohet me rrjetin elektroenergjetik dhe gradualisht të kalojë në operim të qëndrueshëm”, thuhet në njoftim. /Zëri