Rama insiston për projektin “Ulpiana 2030 Legacy”: Pjesë e vizionit tim, LVV-ja po tenton t’i frikësojë qytetarët
Pavarësisht kritikave të opozitës dhe qytetarëve, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, insiston që projekti “Ulpiana 2030 Legacy” është për të mirën e banorëve të kryeqytetit, konkretisht atyre të lagjes “Ulpiana”, të cilët janë shprehur skeptikë për projektin në fjalë.
I pari i Prishtinës në një intervistë për Ekonominë Online ka thënë se projekti parasheh ndërtimin e parkingjeve nëntokësore, me qëllim lirimin e hapësirave sipërfaqësore dhe transformimin e tyre në parqe dhe hapësira rekreative për fëmijët dhe projekti është për të mirën e qytetarëve.
“Secili projekt në kryeqytet gjithmonë ka qenë edhe është në bashkëpunim me qytetarët. Vizioni im është i paraqitur qysh në vitin 2021. Krejt projektet janë të paraqitura në vitin 2021, pastaj edhe në vitin 2025. Pra, janë për të mirën e qytetarëve të kryeqytetit, për të mirën e Prishtinës. Po ashtu edhe projekti 'Ulpiana 2030 Legacy'. Unë këtë projekt e kam paraqitur qysh në vitin 2021. Pra, përfshin parkingje nëntokësore, të cilat i pastrojnë hapësirat përreth dhe i transformojnë në parqe e hapësira rekreative për fëmijët. E po ashtu edhe potencialin për me i ndihmu fshatit Mediteran apo konvikteve aty, të cilat janë të dedikuara për lojëra mesdhetare, që i nxjerrin sot vetëm 2 mijë e 700 atletë deri në 3 mijë maksimum, e që vijnë edhe 2 mijë të tjerë”, tha Rama.
Rama iu është përgjigjur edhe kritikave të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, teksa i ka akuzuar këta të fundit se po i “frikësojnë” qytetarët për të cilët ka thënë se do të bashkëbisedoj rreth projektit “Ulpiana 2030 Legacy”.
“Ne e dimë, unë jam vetë arkitekt urbanist, i kemi mbrojtur soliterët, i kemi kthyer aty ku kanë qenë në vitet e 70-ta. Pra, i kemi kthyer në origjinalitetin e tyre, i kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë Ulpianën e gjithë Prishtinën. Këto tentativa të Vetëvendosjes për me i frikësuar qytetarët, se kinse 'na po bëjshim diçka', çka po di janë të kota. Sepse ne do t'i takojmë qytetarët edhe sot, edhe nesër, për të diskutuar në bashkëpunim me ta. Nuk kemi asgjë jo për të fshehur por ne krenohemi me idetë dhe mundësitë që kemi për t'ua udhëhequr qytetarëve të Ulpianës dhe të kryeqytetit. Pra, janë pjesë e vizionit transparent që dihet tash e pesë vjet”, ka deklaruar Rama.
Kundër këtij projekti ka dalë Lëvizja Vetëvendosje në kryeqytet. Shefi i asamblistëve VV në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka kundërshtuar këtë projekt, duke thënë se propozimi i ekzekutivit të Prishtinës, i cili është miratuar në seancën e jashtëzakonshme të 6 nëntorit, është paraqitur në emër të Lojërave Mesdhetare, ndonëse, sipas tij, nuk ka të bëjë me këtë organizim.
Ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka votuar kundër këtij propozimi për dy arsye, duke përmendur fillimisht mungesën e ndërlidhjes së projektit me Lojërat Mesdhetare dhe më pas ndikimin që ndërtimet e reja mund të kenë në karakterin urban të Ulpianës.
Edhe banorët e lagjes “Ulpiana” janë shprehur kundër projektit “Prishtina 2030 Legacy”, sipas të cilit parashihet që në këtë lagje të ndërtohet një parking nëntokësor si dhe të krijohen hapësira të gjelbra dhe sportive.
Sipas tyre, fontana me të cilën identifikohet kjo lagje, nuk duhet të rrënohet në asnjë mënyrë. /eo