Qorrolli për Ligjin e Speciales: Ka një nguti të pashpjegueshme
Foto: Laura Hasani

Qorrolli për Ligjin e Speciales: Ka një nguti të pashpjegueshme

Aktuale November 12, 2026 - 14:13

Një nguti e pashpjegueshme dhe dyshime serioze për zbatueshmërinë e ligjit - kështu e përshkruan kryetari i Komisionit parlamentar për Legjislacion, Vigan Qorrolli, procesin e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, të cilin Kuvendi i Kosovës pritet ta shqyrtojë sot sërish.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Qorrolli kritikon mënyrën sesi Partia Demokratike e Kosovës e ka shtyrë përpara nismën, duke vënë në pikëpyetje edhe mundësinë e zbatimit të ndryshimeve të miratuara më 6 tetor.

“Kam frikë që ligji siç është tani dhe siç ka qenë më 6 tetor, nuk mund të implementohet”, thotë Qorrolli.

Deklaratat e tij vijnë pas mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, më 12 nëntor, ku u shqyrtua vendimi i presidentes për kthimin e ligjit në Kuvend, ndërsa vendimi përfundimtar iu la seancës plenare.

Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e së cilës është edhe Qorrolli, konfirmoi se do ta mbështesë ligjin, pas një marrëveshjeje me PDK-në, e cila ka marrë përsipër të nisë një proces të ri për ndryshimin e tij.

Sipas Qorrollit, PDK-ja është zotuar se do ta nisë këtë proces të hënën, më 16 nëntor, dhe se do t'i trajtojë ndryshimet brenda dy javëve.

Radio Evropa e Lirë u përpoq të kontaktonte ushtruesen e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, për të marrë një qëndrim lidhur me këtë proces, por nuk mori përgjigje.

Nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara - të njohura edhe si Gjykata Speciale - e ndërmori PDK-ja, pas dënimit në shkallën e parë, më 16 shtator, të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata me seli në Hagë.

Kush u dënua dhe sa?

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan në shkallën e parë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, me nga 25 vjet burgim, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vjet, dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Ata u shpallën fajtorë për krime lufte, të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, përfshirë ndalime të paligjshme, tortura dhe vrasje.

Të katërt i mohuan akuzat, ndërsa vendimi i shkallës së parë nuk është përfundimtar dhe mund të kundërshtohet në apel.

Ndryshimet u miratuan nga Kuvendi më 6 tetor, në kuadër të një marrëveshjeje politike që përfshinte edhe zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka Pula.

Por, më 22 tetor, presidentja e ktheu ligjin për rishqyrtim, pas kërkesës së vetë PDK-së - përfaqësues të së cilës thanë se një hap i tillë ishte rekomanduar nga disa ekspertë ligjorë.

Tani, e njëjta parti kërkon që ligji të miratohet sërish, pa ndryshime në përmbajtje, ndërsa mangësitë e tij të adresohen përmes një nisme të re legjislative.

Sipas Qorrollit, Kuvendi mund ta miratojë sërish ligjin me të paktën 61 vota, me ç'rast ai konsiderohet i shpallur. Nëse nuk sigurohet kjo shumicë, ligji konsiderohet i pamiratuar.

Ai shpjegon se në këtë fazë deputetët nuk mund ta ndryshojnë përmbajtjen e ligjit, por duhet të vendosin për tekstin e miratuar më 6 tetor. Çdo ndryshim i mëvonshëm do të kërkonte një proces të ri legjislativ.

Pikërisht kjo mënyrë veprimi nxiti kritikat e Qorrollit, i cili thotë se nisma e PDK-së është proceduar pa analizën e nevojshme juridike dhe pa konsultime të mjaftueshme institucionale.

“Ka një nguti të pashpjegueshme, pavarësisht vërejtjeve që ua kemi dhënë edhe si mazhorancë, por edhe unë si kryetar i Komisionit për Legjislacion”, thotë ai.

Qorrolli vë në pikëpyetje arsyet e insistimit të PDK-së për ta përshpejtuar procesin në secilën fazë - nga miratimi fillestar i ligjit, te kërkesa për kthimin e tij nga presidentja dhe përpjekja e tanishme për rimiratim.

“Ne s'kemi qenë të bindur asnjëherë për këtë rrugë që po e ndjek Partia Demokratike”, thotë ai.

Pavarësisht këtyre rezervave, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, konfirmoi më herët për Radion Evropa e Lirë se partia e saj nuk do të tërhiqet nga mbështetja për ligjin.

“Ne i kemi premtuar [PDK-së] mbështetjen dhe nuk tërhiqemi”, tha Nagavci.

Çfarë thotë Qorrolli për kundërshtimet e BE-së?

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara nxitën kundërshtime nga Bashkimi Evropian, i cili paralajmëroi se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i cilësoi ndryshimet të papranueshme më 12 tetor.

Brukseli, më pas, e mirëpriti vendimin e presidentes për kthimin e ligjit në Kuvend dhe konfirmoi se po zhvillon konsultime me Qeverinë e Kosovës për këtë çështje.

Qorrolli thotë për Radion Evropa e Lirë se kontaktet me përfaqësuesit e BE-së kanë qenë të vazhdueshme.

“Kemi qenë vazhdimisht në kontakt. Sigurisht, ata i kanë vërejtjet dhe shqetësimet e tyre”, thotë ai.

Sipas tij, kundërshtimet e BE-së lidhen me disa dispozita që prekin marrëveshjen ndërkombëtare mbi të cilën është mbështetur themelimi i Dhomave të Specializuara.

I pyetur nëse miratimi i ligjit mund të ndikojë në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian, Qorrolli përgjigjet shkurt: “Uroj që jo”.

Ai thekson se ndryshimet e ardhshme duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe të jenë të zbatueshme në praktikë.

Dhomat e Specializuara u themeluan në bazë të ndryshimeve kushtetuese, legjislacionit të Kosovës dhe një shkëmbimi letrash me Bashkimin Evropian.

Për këtë arsye, ndërhyrjet në mandatin e tyre ngritën shqetësime për pavarësinë e gjykatës dhe respektimin e zotimeve ndërkombëtare të Kosovës.

Deri ku mund të shkojë Kuvendi me ndryshimet në Ligjin për Specialen?

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë të drejtë ta ndryshojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara, por kjo e drejtë nuk është pa kufizime.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka shpjeguar më herët për Radion Evropa e Lirë se çdo ndërhyrje në ligj duhet të respektojë detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë përsipër.

Sipas tij, ndryshimet nuk duhet të bien ndesh as me Nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton bazën kushtetuese për funksionimin e Dhomave të Specializuara.

Çfarë parashohin ndryshimet në Ligjin për Specialen?

Ndryshimet e miratuara më 6 tetor nuk parashohin shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, por kufizimin e juridiksionit të tyre në krimet e lidhura drejtpërdrejt me pretendimet për trafikim organesh. Ato synojnë gjithashtu të ngushtojnë periudhën kohore dhe territorin që mbulon gjykata.

Ndryshimet parashohin edhe transferimin në institucionet e drejtësisë në Kosovë të rasteve që do të mbeteshin jashtë juridiksionit të gjykatës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim dhe mundësinë e faljes presidenciale.

PDK-ja ka argumentuar se këto ndryshime nuk do të çonin në anulimin automatik të aktgjykimeve ekzistuese apo lirimin e të dënuarve.

Qeveria e Kosovës ka formuar, ndërkohë, një grup punues, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, për të bashkërenduar mbështetjen institucionale në procesin e apelit të katër ish-krerëve të UÇK-së, të dënuar në shkallën e parë në Hagë.

Qorrolli e konsideron këtë strategji si rrugën më të përshtatshme për të mbështetur mbrojtjen e tyre.

Sa u përket ndryshimeve të ligjit, ai thotë se PDK-ja, si propozuese, duhet të sigurojë që ato të jenë të zbatueshme dhe në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

“Ata e kanë edhe barrën e provës, edhe barrën politike”, thotë ai.