Dëshmitarja e mbrojtjes: Maria Clara ishte e vetëdijshme dhe komunikonte, pas rënies nga kati i gjashtë
Dëshmitarja e mbrojtjes në rastin ndaj Endrit Nikës, doktoresha Blerina Gashi, ka deklaruar se shtetasja argjentinase Maria Clara Urdangaray, pas rënies nga kati i gjashtë i hotelit në Fushë-Kosovë, ishte e vetëdijshme, lëvizte dhe komunikonte me ekipin mjekësor.
Duke dëshmuar në seancën e rigjykimit, Gashi, e cila punon në QKMF-në e Fushë-Kosovës dhe kishte qenë pjesë e ekipit që e kishte marrë pacienten me autoambulancë, ka thënë se gjatë transportit kishte komunikuar me të në gjuhën angleze.
“Në QKMF Fushë-Kosovë vazhdoj të punoj në të njëjtin vend si doktoreshë. Kam dhënë deklaratë në polici dhe në gjykatë, për këtë rast. Kam dërguar e-mail në adresë të prokurorit të shtetit, lidhur me dokumentacion mjekësor, i kam dhënë sqarim që nuk ekziston një dokument në QKUK. Kam qenë kujdestare, është marrë thirrja që dikush ka rënë nga kati gjashtë, kemi shkuar pacientja ka qenë e vetëdijshme, e lëvizshme dhe ka komunikuar. E kemi marrë në autoambulancë, gjatë kohës që kemi qenë në autoambulancë rrugët e frymëmarrjes i ka pasur të lira, nuk ka pasur fraktura të jashtme që janë vërejtur, kemi vendosur terapinë në autoambulancë edhe gjatë tërë rrugës, kemi biseduar me pacienten në gjuhën angleze”, tha ajo.
E pyetur nëse e kishte pyetur pacienten nëse ishte hedhur vetë apo nëse dikush e kishte shtyrë, dëshmitarja ka thënë se ajo ishte përgjigjur negativisht në të dyja pyetjet.
“Emri, mbiemri çfarë moshe ka, a ka tentu me u hudh vetë apo, e ka shtyer dikush. Dy përgjigjet e saj kanë qenë jo, jo. Ka pasur maci dhe të brendshme të veshur”, tha ajo.
Endrit Nika akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila vdiq në QKUK si pasojë e lëndimeve të marra pas rënies nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2026, e kishte dënuar Nikën me 18 vjet burgim, por Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Aktakuzën ndaj tij e ka ngritur Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2025.
Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën e tij, fillimisht e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.
Sipas aktakuzës, përleshja kishte vazhduar edhe në dhomën e hotelit, ku Nika dyshohet se e kishte goditur dhe shtyrë Urdangaray-n drejt qoshes së dhomës, nga ku ajo nuk kishte mundësi të largohej.
Prokuroria pretendon se ai e kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur atë nga kati i gjashtë, si pasojë e së cilës ajo kishte pësuar lëndime që i shkaktuan vdekjen.
Nika ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”. /eo