Deliu-Kodra kërkon monitorim të pavarur të Speciales: Shqetësimet për të drejtat e ish-krerëve të UÇK-së kërkojnë përgjigje
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar në seancën e Kuvendit të Kosovës mbështetjen e një mekanizmi profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurave pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Duke iu referuar raportit të Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Deliu-Kodra tha se shqetësimet e ngritura lidhur me të drejtat e ish-krerëve të UÇK-së duhet të trajtohen seriozisht nga institucionet e vendit.

“Kur institucioni kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ngre shqetësime të kësaj peshe, Kuvendi ka detyrim t’i shqyrtojë ato dhe të kërkojë veprim nga institucionet përgjegjëse”, deklaroi ajo.
Sipas deputetes së PDK-së, raporti ngre shqetësime për transparencën, llogaridhënien, barazinë e palëve dhe garancitë për një gjykim të drejtë e të paanshëm. Ajo e cilësoi veçanërisht shqetësues vlerësimin se mandati i Dhomave të Specializuara ka devijuar nga qëllimi fillestar.

Deliu-Kodra ngriti edhe çështjen e mbikëqyrjes demokratike, duke theksuar se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur mundësi reale për të ushtruar mbikëqyrje dhe për të kërkuar llogaridhënie për funksionimin e këtij institucioni.
Ajo përmendi gjithashtu shqetësimet për respektimin e jetës private dhe familjare gjatë vizitave në paraburgim, kohën në dispozicion të mbrojtjes dhe barazinë e palëve në proceset gjyqësore.
Deputetja kërkoi të sqarohet nëse mbrojtjes i është ofruar qasje e plotë në informacionet lidhur me origjinën dhe besueshmërinë e materialeve të përdorura në procedura, veçanërisht atyre që vijnë nga Serbia.

“Për PDK-në, drejtësia për krerët e UÇK-së mbetet një përgjegjësi e përhershme. Kjo përgjegjësi kërkon punë të organizuar, argumente profesionale dhe angazhim shtetëror të vazhdueshëm”, tha Deliu-Kodra.
Ajo theksoi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë të drejtë në respektimin e plotë të garancive procedurale, ndërsa kërkoi që institucionet e Kosovës ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet dhe vendosmëri.
Në emër të PDK-së, Deliu-Kodra kërkoi që shqetësimet e paraqitura t’u adresohen zyrtarisht Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë, me kërkesë për një vlerësim të pavarur dhe respektim të standardeve të të drejtave të njeriut.
“Parimi i parë dhe themelor i ndërtimit të demokracisë në një vend është llogaridhënia”, u shpreh ajo, duke shtuar se edhe Dhomat e Specializuara duhet t’i respektojnë parimet demokratike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.