18 operatorë të Njësive Speciale certifikohen në mjekësinë emergjente
18 operatorë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses trajnimin njëmujor për avancimin e njohurive bazike në mjekësinë emergjente.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ceremonia e certifikimit u mbajt në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa trajnimi u realizua në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Trajnimi kishte për qëllim avancimin e njohurive dhe shkathtësive praktike të pjesëtarëve policorë për ofrimin e ndihmës së parë në terren dhe reagimin fillestar në situata emergjente.
Policia ka bërë të ditur se pjesëmarrësit fituan njohuri dhe përvojë praktike për përballimin e situatave të ndryshme emergjente shëndetësore, me synim reagimin e shpejtë dhe efektiv për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve dhe pjesëtarëve të policisë.
Në ceremoninë e certifikimit, përfaqësues të Policisë së Kosovës vlerësuan kontributin e SHSKUK-së, veçanërisht të Klinikës Emergjente, për mbështetjen profesionale në realizimin e trajnimit.
Policia e Kosovës dhe SHSKUK-ja kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, përmes aktiviteteve të përbashkëta për ngritjen e kapaciteteve profesionale.