Lushaku-Sadriu kërkon reagim serioz ndaj dhunës: Konfliktet po përfundojnë me humbje jete
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar reagim serioz nga institucionet dhe shoqëria ndaj rasteve të fundit të dhunës dhe vrasjeve në Kosovë, duke paralajmëruar se dhuna po bëhet gjithnjë e më e pranishme në jetën e përditshme.
Duke folur për këtë çështje, Lushaku-Sadriu përmendi rastet e rënda të ditëve të fundit, duke përfshirë tragjeditë në Gjilan, dhunën në familje, dhunën ndaj grave, kërcënimet dhe konfliktet që përfundojnë me humbje jete.
“Ditëve të fundit, Kosova është tronditur nga vrasje të rënda. Tragjeditë në Gjilan dhe rastet e tjera të dhunës na kanë përballur edhe njëherë me një realitet tepër shqetësues. Dhuna po zë gjithnjë e më shumë vend në jetën tonë të përditshme, familjet në zi e në trishtim, e ne po vazhdojmë të shohim dhunë në familje, dhunë ndaj grave, kërcënime, dhunë verbale, konflikte që përfundojnë me armë e jetë të humbura”, deklaroi ajo.
Ajo vlerësoi se situata kërkon veprime konkrete, jo vetëm nga institucionet përgjegjëse, por edhe nga shoqëria në tërësi.
“Kemi ardhur në një situatë shqetësuese ku konfliktet dhe mosmarrëveshjet po marrin përmasa të rrezikshme deri në humbjen e më të dashurve tanë, prandaj kjo gjendje kërkon reagim serioz, jo vetëm nga institucionet, por edhe nga gjithë shoqëria”, tha Lushaku-Sadriu.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të LDK-së theksoi se dhuna verbale është e pranishme në familje, në rrugë, në rrjete sociale dhe në debatet publike.
Sipas saj, qytetarët dhe figurat publike përballen me fyerje, kërcënime dhe sulme për shkak të mendimeve që shprehin.
Ajo kërkoi që Policia, Prokuroria dhe gjykatat t’i trajtojnë me seriozitet kërcënimet dhe të veprojnë me kohë, ndërsa bëri thirrje edhe për masa konkrete kundër armëve ilegale.
“Shteti duhet të reagojë fort me ligje të forta, Policia duhet të marrë tepër seriozisht kërcënimet, Prokuroria dhe gjykata duhet të veprojnë në kohë, armët ilegale duhet të largohen nga duart e atyre që rrezikojnë jetët e tyre. Kemi nevojë edhe për një ndryshim, për mënyrën sesi sillemi me njëri-tjetrin”, përfundoi Lushaku-Sadriu.