Haradinaj, thirrje partive opozitare të bashkohen kundër qeverisjes së Kurtit
Foto: Laura Hasani

Haradinaj, thirrje partive opozitare të bashkohen kundër qeverisjes së Kurtit

Aktuale October 15, 2026 - 10:59

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mosmbrojtja e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n rrezikon sigurinë kombëtare të Kosovës.

Duke folur për rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, Haradinaj tha se çdo veprim në mbështetje të saj është i mirëpritur, pavarësisht vonesave.

“Siguria jonë kombëtare rrezikohet kur ne nuk e mbrojmë vlerën tonë që është themel i ekzistencës sonë, që është UÇK-ja. Më vjen keq me shtu se nëse nuk e mbrojmë aleancën me Amerikën dhe NATO-n, prapë e rrezikojmë sigurinë tonë kombëtare. Rrezikohet kur ne nuk i kryejmë punët tona”, deklaroi Haradinaj.

Ai shtoi se mbështetja për UÇK-në duhet të jetë e vazhdueshme, duke shprehur keqardhje që është dashur të rikujtojë rëndësinë e kësaj çështjeje.

“Mbështesim çdo veprim dhe mbështetje të UÇK-së, sado vonë, më mirë se hiç. Më vjen marre unë që jam UÇK e po duhet me ju thënë këto fjalë”, u shpreh ai.

Haradinaj gjithashtu u bëri thirrje partive opozitare që të bashkohen për të kundërshtuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, të cilën e cilësoi si keqqeverisje.

“Lirinë tonë e mbrojmë duke bërë opozitë të vërtetë. Duhet të bashkohemi kundër keqqeverisjes së Kurtit, kundër krejt përçarjes që ia bën këtij vendi. Ju ftoj të bashkohemi që t’i bëjmë opozitë të vërtetë keqqeverisjes së Kurtit”, deklaroi Haradinaj.