Gjykata Supreme i reagon Përparim Ramës: Respektoni pavarësinë tonë, shmangni presionin
Gjykata Supreme e Kosovës ka bërë të ditur se lënda që lidhet me kontestin gjyqësor për bllokimin e llogarive bankare të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) është në shqyrtim, pas paralajmërimit të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje për protestë para objektit të gjykatës.
Në reagim, Supremja ka kërkuar që të shmanget çfarëdo forme e presionit ndaj tyre.
Një ditë më herët, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga kjo Gjykatë që ta shqyrtojë me prioritet rastin në fjalë.
Gjykata Supreme ka thënë se i kupton edhe shqetësimet e punëtorëve të NPB-së, të cilët, sipas informacioneve të bëra publike, janë përballur me vonesa në marrjen e pagave si pasojë e bllokimit të llogarive bankare të ndërmarrjes.
“Gjykata Supreme respekton të drejtën e qytetarëve dhe punëtorëve për të shprehur shqetësimet e tyre në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, rikujton rëndësinë e respektimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe të shmangies së çdo forme të presionit që mund të perceptohet si ndërhyrje në procesin e vendimmarrjes gjyqësore”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Sqarim i Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me paralajmërimin për protestë të punëtorëve të NPB-së, para objektit të Gjykatës
Gjykata Supreme e Kosovës, lidhur me paralajmërimin për organizimin e një proteste para objektit të Gjykatës, në kontekstin e çështjes gjyqësore që ka të bëjë me bllokimin e llogarive bankare të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) dhe pamundësinë e ekzekutimit të pagave për punëtorët e saj, sqaron opinionin publik si në vijim:
Lënda lidhur me këtë kontest gjyqësor është pranuar dhe regjistruar në Gjykatën Supreme më datë 21 gusht 2026, me numër E. Rev. nr. 49/2026, dhe aktualisht është në punë.
Gjykata Supreme e kupton rëndësinë e shqetësimeve të ngritura lidhur me gjendjen e punëtorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore, të cilët, sipas informacioneve të bëra publike, janë përballur me vonesa në realizimin e pagave si pasojë e bllokimit të llogarive bankare të ndërmarrjes.
Megjithatë, Gjykata thekson se shqyrtimi i çështjeve gjyqësore zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Përcaktimi i prioriteteve për shqyrtimin e lëndëve bëhet në pajtim me dispozitat ligjore përkatëse duke garantuar trajtim të paanshëm dhe të barabartë të palëve.
Për kohëzgjatjen e shqyrtimit të lëndës konkrete, Gjykata Supreme nuk mund të paragjykojë afatin e përfundimit të saj. Çdo vendimmarrje do të merret në bazë të ligjit dhe të rrethanave të çështjes, në ushtrim të pavarësisë dhe paanshmërisë gjyqësore.
Gjykata Supreme respekton të drejtën e qytetarëve dhe punëtorëve për të shprehur shqetësimet e tyre në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, rikujton rëndësinë e respektimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe të shmangies së çdo forme të presionit që mund të perceptohet si ndërhyrje në procesin e vendimmarrjes gjyqësore.
Gjykata Supreme mbetet e përkushtuar në ushtrimin e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, duke siguruar që çdo lëndë të trajtohet sipas ligjit, me paanshmëri dhe në përputhje me standardet e administrimit të drejtësisë.