Osmani pas tragjedisë në Gjilan: Gratë nuk duhet të vdesin që institucionet të zgjohen
Foto: Laura Hasani

Osmani pas tragjedisë në Gjilan: Gratë nuk duhet të vdesin që institucionet të zgjohen

Aktuale October 09, 2026 - 19:29

Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Gjilan, ku një grua dhe vëllai i saj u vranë nga bashkëshorti i saj.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Osmani ka shprehur tronditjen për rastin, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe veprime konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave.

“Një shoqëri që vajton pas çdo vrasjeje, por nuk arrin ta ndalë dhunën para se të jetë tepër vonë, duhet të përballet me përgjegjësinë e saj”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka theksuar se kërcënimet dhe rastet e dhunës nuk duhet të neglizhohen nga institucionet, duke nënvizuar se reagimi duhet të vijë para se situatat të përfundojnë tragjikisht.

“Gratë nuk duhet të vdesin që institucionet të zgjohen. Kërcënimet nuk duhet të përfundojnë në arkiv, e dhuna nuk duhet të përfundojë në varreza”, thuhet në reagimin e saj.

Në fund, Osmani ka kërkuar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për çdo dështim institucional, duke bërë thirrje për veprime konkrete në vend të deklaratave.

“Drejtësi për viktimat. Përgjegjësi për çdo dështim. Veprim, jo fjalë. Asnjë jetë më pak! Asnjë justifikim më shumë!”, ka përfunduar ajo.