Shërbimi Danez i Burgjeve deklarohet për incidentin në burgun e Kopenhagës
Shërbimi Danez i Burgjeve ka konfirmuar se më 5 tetor ka ndodhur një incident në burgun "Vestre Fængsel në Kopenhagë", duke bërë të ditur se rasti i është përcjellë policisë.
Lidhur me rastin, ky institucion ka theksuar se, ndonëse në përgjithësi nuk komenton raste individuale, çdo pretendim për ushtrim dhune ndaj të burgosurve trajtohet si çështje shumë serioze.
“Për këtë arsye, ne kemi ndërmarrë masat e nevojshme dhe të përshtatshme”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Danez të Burgjeve.
Institucioni danez ka folur edhe për përvojën me zyrtarët korrektues nga Kosova që kryejnë praktikën në Danimarkë, duke vlerësuar se ajo ka qenë përgjithësisht shumë pozitive.
Sipas ktij institucioni, vlerësime të mira kanë marrë si nga zyrtarët korrektues kosovarë, ashtu edhe nga ata danezë.
Megjithatë, pas incidentit, Shërbimi Danez i Burgjeve ka bërë të ditur se do ta rishikojë programin e trajnimit për zyrtarët korrektues kosovarë që kryejnë praktikën në Danimarkë, me qëllim që ai të jetë në nivel të lartë dhe t’i përmbushë plotësisht kërkesat e institucionit.
“Ne kemi besim në bashkëpunimin me Kosovën dhe kemi ruajtur një dialog të mirë e konstruktiv me Shërbimin Korrektues të Kosovës. Edhe ata e kanë trajtuar këtë çështje me shumë seriozitet”, thuhet më tej në përgjigje.
Shërbimi Danez i Burgjeve nuk ka dhënë detaje të tjera për incidentin, duke rikujtuar se në përgjithësi nuk komenton raste individuale.
Klankosova ka raportuar rreth rastit ku dy zyrtarët korrektues nga Kosova, të akuzuar për sulm ndaj një të burgosuri në burgun Vestre në Kopenhagë, janë liruar pas seancës paraprake të mbajtur të mërkurën.