Kushneri reagon për projektin e Zvërnecit: Tokën e blemë për 230 milionë euro nga një palë private
Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, u ka kushtuar një shpjegim të gjatë akuzave të ngritura ndaj tij në një shkrim të revistës amerikane “The New Yorker” mbi aktivitetin e tij diplomatik dhe lidhjet e biznesit.
Një hapësirë të veçantë ai ja ka dedikuar asaj që po ndodh me projektin e Zvërnecit në Shqipëri.
Kushneri u ka kthyer përgjigje akuzave se atij iu dhanë të drejtat e zhvillimit të pronës pa njoftim publik apo tender konkurrues dhe se ligji për të ndërtuar në një tokë të mbrojtur u miratua me urgjencë në parlament.
“Toka nuk na u dha nga qeveria shqiptare. Partneriteti ynë e bleu atë nga një palë private për 230 milionë euro në një transaksion privat, një nga çmimet më të larta të paguara në rajon për një transaksion të kësaj përmase”, tha Kushneri.
Kushner thotë se investimi është tërësisht privat dhe bazuar në besimin te potenciali i Shqipërisë si një destinacion në rritje dhe te mundësia për të krijuar diçka vërtet të veçantë.
“Ne po investojmë kapital të konsiderueshëm privat, duke vënë bast për një vend që nuk ka pasur kurrë më parë një projekt të kësaj përmase. Nuk kemi garanci. Ne po e marrim atë rrezik sepse besojmë te Shqipëria dhe te shqiptarët.
Nëse rezulton i suksesshëm, projekti mund të përfaqësojë një investim prej rreth katër miliardë eurosh dhe të krijojë vende të rëndësishme pune, aktivitet ekonomik dhe njohje ndërkombëtare për Shqipërinë”, u shpreh Kushneri.
Kushner nënvizon se për blerjen e tokës janë shfrytëzuar tre vjet e dhjetëra miliona dollarë duke studiuar vendndodhjen, mjedisin e saj, si dhe mundësitë e nevojat e rajonit.
“Kemi mbledhur arkitektë, dizajnerë, inxhinierë, ekspertë mjedisorë dhe partnerë të jashtëzakonshëm për ta formësuar projektin në mënyrë të përgjegjshme. Qëllimi nuk ka qenë kurrë thjesht zhvillimi i tokës, por krijimi i diçkaje që mund të shërbejë si një platformë mundësish dhe rritjeje afatgjatë për Shqipërinë”, theksoi Kushneri.
Ai sqaron se ambicia është që të ndërtohet sipas standardeve më të larta të dizajnit dhe mjedisit.
“Partneriteti ka bashkëpunuar gjerësisht me komunitetin lokal në Vlorë. Ne gjithashtu e kuptojmë se njerëzit kanë pyetje dhe shqetësime legjitime. Projekti do të duhet të kalojë nëpër të gjitha procedurat përkatëse rregullatore dhe mjedisore në Shqipëri dhe të marrë miratimet e nevojshme për të vijuar”, tha Kushneri.
Më pas, Kushner sqaron se ai është vetëm partner me pjesëmarrje të vogël në kapital dhe nuk përfshihet në menaxhimin e përditshëm të projektit.
“Ideja se ky projekt u avancua për t’i bërë qejfin presidentit Trump është gjithashtu e pasaktë për sa i përket kronologjisë. Siç theksohet edhe në vetë artikullin, interesi ynë nisi në verën e vitit 2021, kur unë isha një qytetar i thjeshtë dhe shumë kohë para se Presidenti Trump të shpallte kandidaturën e tij për vitin 2024”, u shpreh Kushneri.
Fjalën e fundit për avancimin e projektit do ta ketë Shqipëria.
“Në fund të fundit, Shqipëria do të vendosë nëse projekti do të vazhdojë. Nëse miratohet, shpresoj se do të mund të krijojmë diçka për të cilën shqiptarët do të jenë krenarë dhe të cilën familjet nga Shqipëria dhe mbarë bota do ta shijojnë për breza të tërë”, theksoi Kushneri.
Kushneri hedh poshtë edhe pretendimet e medies amerikane se aeroporti i Vlorës u ndërtua me kërkesë të tij. Ai thotë se projekti ishte miratuar më herët dhe ishte një nga faktorët që e tërhoqi për të çuar përpara projektin.