Meidani për aktgjykimin e Speciales: Përgjegjësi individuale, ligji çështje sovrane e Kosovës
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Denion Meidani, ka deklaruar se Shqipëria do të vijojë të mbështesë qytetarët e Kosovës dhe procesin e apelit në Hagë, duke theksuar se karakteri çlirimtar i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të vihet në dyshim.
Para deputetëve të Komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë, Meidani nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së maturisë edhe pas aktgjykimit të shkallës së parë, ndërsa theksoi se procesi i apelit duhet të ndiqet si një proces ligjor.
“Ne qartazi qëndrojmë pranë qytetarëve të Kosovës, mbështesim plotësisht procesin e apelit që duhet ndjekur si proces ligjor, me bindjen e palëkundur se karakteri çlirimtar i luftës së UÇK-së nuk mund të vihet në dyshim”, u shpreh Meidani.
Ai theksoi se vendimet për ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara janë çështje sovrane e Kosovës dhe se Shqipëria do ta ndjekë këtë proces në koordinim të ngushtë me partnerët strategjikë.
“Përsa i përket Hagës. Nuk më cituat siç duhet. Dhe ajo që unë thashë, dhe e kam thënë dhe publikisht madje, kam mbajtur qëndrim për këtë çështje, është që kjo frymë maturie do kërkohet dhe pas aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë. Ne qartazi qëndrojmë pranë qytetarëve të Kosovës, mbështesim plotësisht procesin e apelit që duhet ndjekur si proces ligjor, me bindjen e palëkundur se karakteri çlirimtar i luftës së UÇK-së nuk mund të vihet në dyshim. Karakteri çlirimtar i luftës së UÇK-së! Ndryshimet për ligjin e dhomave të specializuara janë vendim sovran i tyre, dhe i dukshëm, vullnet popullor, me çfarë po ndjekim në media. Ne do t’i ndjekim në koordinim të ngushtë me partnerët tanë strategjikë. Një gjë duhet thënë qartë: aktgjykimi ka të bëjë me përgjegjësi individuale, nëse ka të till”, deklaroi ambasadori.
Gjatë fjalës së tij, Meidani u ndal edhe te marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, duke evidentuar problematikat në zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe dhe atyre të CEFTA-s. Ai tha se nevojitet angazhim i vazhdueshëm diplomatik, si dhe më shumë mbështetje nga Tirana zyrtare për ambasadat shqiptare.
Sa i përket lobimit në organizatat ndërkombëtare dhe njohjes së Kosovës, Meidani theksoi rëndësinë e koordinimit me kolegët në vendet e Bashkimit Evropian. Ai propozoi gjithashtu përdorimin e metodave të reja të komunikimit dhe fushatave të marrëdhënieve me publikun, me synimin për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në BE.
Sipas tij, forcimi i kapaciteteve diplomatike, përmes shtimit të personelit dhe fondeve është i rëndësishëm për të përballuar sfidat e integrimit evropian dhe për të mbështetur interesat shqiptare në rajon.