Deliu-Kodra dhe Çitaku vizitojnë nipin e Thaçit në QKUK

Deliu-Kodra dhe Çitaku vizitojnë nipin e Thaçit në QKUK

Aktuale October 06, 2026 - 00:34

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas vizitës në QKUK, ku ka thënë se bashkë me Vlora Çitakun kanë vizituar Leotrim Thaçin, nipin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Përmes një postimi, Deliu-Kodra ka deklaruar se Leotrimi ka marrë pesë qepje në kokë, duke theksuar se është rrahur nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

“Para pak çastesh, bashkë me Vlorën, ishim në QKUK për ta vizituar Leotrim Thaçin, nipin e Hashim Thaçit, i cili ka marrë pesë qepje në kokë pas rrahjes brutale nga policia”, ka shkruar ajo.

Deliu-Kodra e ka dënuar përdorimin e dhunës ndaj protestuesve dhe ka kërkuar hetim të menjëhershëm.

“Me e rrahë brutalisht një të ri që nuk reziston është e papranueshme dhe e turpshme. As uniforma, as urdhri, as pushteti nuk e arsyetojnë!”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka kërkuar që të hetohet dhuna e pretenduar ndaj Leotrimit dhe protestuesve të tjerë.

“Kërkojmë hetim të menjëhershëm dhe përgjegjësi për dhunën ndaj Leotrimit dhe çdo protestuesi tjetër. Sonte e pamë me sytë tanë. Nuk kemi me e heshtë!”, ka shkruar Deliu-Kodra.