Përfundon protesta në Prishtinë, pas disa orësh tensionesh
Ka përfunduar protesta e sotme “Jo në emrin tim” në Prishtinë, e cila për disa orë u shoqërua me tensione pranë ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Pas disa orësh, situata është qetësuar, ndërsa protestuesit kanë nisur të largohen nga sheshi “Skënderbeu”.

Gjatë mbrëmjes, protestuesit ishin mbledhur në numër të madh pranë institucioneve, ndërsa situata u tensionua pas hedhjes së mjeteve piroteknike dhe ndërhyrjes së Policisë së Kosovës me gaz lotsjellës dhe topin e ujit.
Policia kishte vendosur kordon para hyrjeve të Qeverisë dhe Kuvendit, ndërsa pati edhe përplasje mes protestuesve dhe zyrtarëve policorë.
Protestës iu bashkuan edhe deputetë të PDK-së dhe Aleancës, të cilët qëndruan përkrah protestuesve.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës u lënduan gjashtë zyrtarë policorë, ndërsa 11 qytetarë/protestues kërkuan ndihmë mjekësore. Po ashtu, tre protestues u shoqëruan në stacion policor.

Protesta “Jo në emrin tim” pritet të vazhdojë edhe nesër. Protestuesit kërkojnë miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.


