IKD-ja bën thirrje të mos pengohen fizikisht deputetët
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me protestat pranë Kuvendit të Kosovës, duke thënë se artikulimi i kërkesave përmes protestave është pjesë e rëndësishme e demokracisë, por pengimi fizik i deputetëve për të hyrë apo dalë nga Kuvendi përbën presion mbi institucionin dhe ushtrimin e lirë të mandatit.
“Artikulimi i kërkesave përmes protestave është bazamenti i demokracisë. Por, të pengosh fizikisht deputetët të hyjnë apo të largohen nga Kuvendi, t’i kërcënosh apo të përdorësh dhunë ndaj tyre, është presion mbi institucionin dhe mbi ushtrimin e lirë të mandatit. Kërkesa që deputetët ta votojnë një ligj mund të shprehet fuqishëm në shesh, por vota e tyre duhet të mbetet e lirë”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Sipas KDI-së, asnjë protestues apo organizatë nuk mund të përcaktojë përmes bllokimit fizik se cilët deputetë mund të hyjnë apo të dalin nga Kuvendi, apo se si duhet të votojnë.
“Asnjë protestues apo organizatë nuk mund të vendosë përmes bllokimit fizik se kush hyn, kush del apo si duhet të votojë një deputet. Deputetët kanë të drejtë të votojnë, të mos votojnë dhe të mbajnë përgjegjësi politike për vendimet e tyre. Protesta duhet të mbetet protestë, ndërsa presioni politik nuk mund të shndërrohet në presion fizik”, thekson KDI.
Instituti u ka bërë thirrje krerëve të subjekteve politike që të dalin para protestuesve dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me ta, duke marrë përgjegjësi për qëndrimet e tyre.
“Në këtë situatë, krerët e subjekteve politike duhet të dalin para protestuesve, të flasin drejtpërdrejt me ta dhe ta marrin përgjegjësinë për qëndrimet e tyre”, thuhet në reagim.
KDI ka kërkuar gjithashtu nga organizatorët e protestave që t’u bëjnë thirrje pjesëmarrësve që të vazhdojnë protestën pa dhunë dhe pa penguar fizikisht deputetët.
“Organizatorët që kanë ftuar qytetarët të mobilizohen për këtë çështje duhet edhe t’u kërkojnë qartë që protesta të vazhdojë pa dhunë dhe pa pengim fizik të deputetëve”, përfundon reagimi i KDI-së.