Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” përshëndet deklaratën e Kuvendit për aktgjykimin e Speciales
Foto: Laura Hasani

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” përshëndet deklaratën e Kuvendit për aktgjykimin e Speciales

Aktuale September 28, 2026 - 21:22

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka përshëndetur miratimin me 99 vota të deklaratës së Kuvendit të Kosovës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Deklarata u miratua të hënën, më 28 shtator, me 99 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Në reagimin e saj, Qendra ka vlerësuar konsensusin e arritur mes deputetëve dhe qëndrimin e Kuvendit lidhur me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aktgjykimin e shkallës së parë të 16 shtatorit.

“Na gëzoi fakti që përmes deklaratës së 28 shtatorit 2026, deputetët morën qëndrim të qartë dhe theksuan që asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë”, thuhet në reagimin e Qendrës.

Sipas saj, përmes deklaratës deputetët kanë shprehur kundërshtimin ndaj përfundimit të gjykatës lidhur me ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal.

Kuvendi, në deklaratën e miratuar, ka shprehur shqetësimin për aktgjykimin e shkallës së parë, ka kundërshtuar këtë përfundim dhe ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të ndërmarrin veprime juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen e asaj që deklarata e cilëson si të vërtetën historike për luftën e Kosovës.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka bërë thirrje për bashkërendim institucional, duke shprehur besimin se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët mund të realizohen kërkesat e përcaktuara në deklaratën e Kuvendit.

Sipas reagimit, institucionet duhet të hartojnë një strategji të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës do të koordinoheshin veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike.

Në fund, Qendra ka shprehur edhe qëndrimin e saj për të ardhmen e Dhomave të Specializuara dhe personave që ndodhen në paraburgim apo vuajtje dënimi në Hagë.

“Jemi të sigurt se realizimi profesional i kërkesave të lartpërmendura do të sjellë deri te një vendim i drejtë: zhbërja e Dhomave të Specializuara dhe lirimi i pengjeve që mbahen në burgun e Scheveningenit në Hagë”, thuhet në reagim.