Fronti hibrid, alarm për sigurinë në Kosovë
Aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë mund të ketë pasoja përtej procesit gjyqësor, vlerësojnë njohës të çështjeve të sigurisë.
Sipas tyre, Serbia mund ta shfrytëzojë zhvillimin në Hagë për të forcuar narrativat e saj politike ndaj Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një periudhë kur tensionet e sigurisë në rajon mbeten të pranishme.
Në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka cilësuar Serbinë si të përfshirë në çështje “potencialisht problematike dhe shpërthyese”.
Kjo deklaratë vjen në një periudhë kur veprimet e Beogradit zyrtar kanë ngritur shqetësime lidhur me sigurinë në rajon dhe raportet me Kosovën.
Në shtator të vitit 2023, një grup i armatosur i udhëhequr nga Milan Radoiçiq kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit. Një vit më vonë, shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc riktheu vëmendjen te kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
Në këtë sfond, njohësit e sigurisë thonë se aktgjykimi i 16 shtatorit nga Dhomat e Specializuara mund të përdoret nga Beogradi si instrument politik në arenën ndërkombëtare.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se zhvillimet duhet të trajtohen si pjesë e një kërcënimi më të gjerë rajonal.
“Çështja duhet të merret mirëfilli si kërcënim rajonal, si luftë hibride e vazhdueshme e Serbisë, që nuk po gjykohet dhe nuk po ndërmerret asnjë masë”, ka deklaruar Ibishi.
Ai ka përmendur edhe reagimet ndërkombëtare ndaj zhvillimeve të mëhershme në Kosovë, duke i krahasuar ato me masat e ndërmarra ndaj Kosovës.
Sipas ekspertëve, Serbia mund të tentojë të shfrytëzojë edhe zhvillimet e brendshme në Kosovë, përfshirë protestat e fundit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj, thotë se situata e krijuar gjatë javëve të fundit mund të shfrytëzohet nga Beogradi si në aspektin politik, ashtu edhe në atë të sigurisë.
“Këtë muaj të fundit kemi një situatë e cila shkakton një brishtësi më të madhe, e cila, për shkak të protestave të fundit për lirimin e atyre që i kemi në Hagë, Serbia sigurisht do ta shfrytëzojë këtë momentum edhe në aspektin e sigurisë, përveç në aspektin politik, të cilin veç ka filluar ta shfrytëzojë”, ka thënë Gecaj.
Ai ka vlerësuar se Beogradi po përdor deklarata të ndryshme në përpjekje për ta paraqitur UÇK-në në mënyrë negative në arenën ndërkombëtare.
Ekspertët paralajmërojnë se zhvillimet e fundit mund të ndikojnë në dinamikën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, ndërsa vlerësojnë se lufta informative dhe politike mbetet një prej instrumenteve përmes të cilave palët synojnë të ndikojnë në perceptimet ndërkombëtare. /rtk