Ekspertët skeptikë për ndryshimet ligjore
Foto: Laura Hasani

Ekspertët skeptikë për ndryshimet ligjore

Aktuale September 26, 2026 - 21:40

Pas tronditjes që shkaktoi dënimi kolektiv prej 81 vjetësh burgim ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, beteja juridike po zhvendoset në dy fronte.

Sytë janë kthyer nga Gjykata e Apelit në Hagë dhe nga përpjekjet e fundit në Prishtinë për të ndryshuar ligjin për Dhomat e Specializuara, por mundësitë reale të Kosovës për të ndikuar në këtë proces po shihen me skepticizëm të thellë.  

Ekspertët e fushës së drejtësisë thonë se sovraniteti juridik i Kosovës është deleguar jashtë territorit që nga viti 2015, duke e bërë juridikisht të pamundur çdo ndërhyrje të pasme shtetërore. 

 "Kjo është punë e madhe të thonë se Gjykata Speciale mund të çbëhet, mund të ndërpritet puna e Gjykatës Speciale apo eventualisht çfarë kam dëgjuar teori se Gjykata Speciale të kthehet dhe të veprojë brenda territorit tonë. Këto janë gjëra që nuk ndodhin sepse në kohën që ne jetojmë kur bën një marrëveshje ndërkombëtare, kur de- delegon sovranitetin tënd si shtet juridik në një shtet tjetër, më nuk ke kurrfarë kontrolli në Gjykatën Speciale", ka thënë avokati Tomë Gashi. 

Kur dyert e politikës dhe ndryshimeve ligjore duken të mbyllura, e vetmja shpresë e mbetur mbetet shkalla e dytë e gjykimit. Megjithatë, edhe përballja në Apel ngre dyshime të mëdha.  

Njohës të tjerë të proceseve gjyqësore venë në dukje profilin e gjyqtarëve që pritet të marrin vendimin përfundimtar, duke bërë thirrje që mbrojtja e ish-krerëve të jetë tejet aktive dhe të studiojë mirë përvojën e trupit gjykues.  

"Të gjithë ata gjyqtarë të cilët kemi pasur edhe ne dyshime gjatë gjykimeve janë transferuar, shumica e tyre në Gjykatën e Apelit, prej të cilëve domethënë i kam disa prej tyre dyshime se nuk do të jenë objektivë. Megjithatë, çdo herë mbrojtja duhet me qenë aktiv edhe pak me studiuar profilin e këtyre gjyqtarëve, në eksperiencën e tyre dhe në qëndrimet politike paraprake", ka thënë avokati Kadri Osaj.  

Pavarësisht skepticizmit për makinerinë e Speciales, të dy ekspertët e drejtësisë besojnë fort në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, duke argumentuar se shkalla e parë dështoi të prezantojë prova bindëse që vërtetojnë krimet e pretenduara.   

Nga ana tjetër, presioni politik po kulmon nga Partia Demokratike e Kosovës.

Nisma e tyre ligjore synon të ndërhyjë në thelbin e mandatit të Speciales, që nga shqyrtimi i periudhës kohore që mbulon gjykata, kufizimi i dënimeve me maksimumin 15 vjet e deri të kërkesa që vuajtja e dënimit të bëhet në Kosovë, duke u hapur rrugë edhe faljeve presidenciale.  

Në këtë udhëkryq të vështirë, Kosova po garon me kohën për të shpëtuar krerët e luftës çlirimtare nga një dënim i përhershëm historik. /RTK