Tahiri: 16 shtatori ishte ditë e zezë për Kosovën, Kuvendi duhet të reagojë
Foto:Laura Hasani

Tahiri: 16 shtatori ishte ditë e zezë për Kosovën, Kuvendi duhet të reagojë

Aktuale September 25, 2026 - 12:49

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, është deklaruar pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke kërkuar që institucionet të reagojnë me përgjegjësi ndaj situatës në të cilën ndodhet vendi.

Tahiri tha se kërkesa e tij në mbledhjen e Kryesisë ishte që Kuvendi të tregojë përgjegjësi, ndërgjegjshmëri dhe gatishmëri për të ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe urgjente.

“16 shtatori ishte ditë e zezë dhe e rëndë për Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Qytetarët e Kosovës me shumë të drejtë janë duke shprehur revoltën përmes protestave. Kjo situatë është emergjente, urgjente dhe kërkon përgjegjësi institucionale. Qytetarët me të drejtë kanë kërkesë të drejtuar nga Kuvendi dhe Qeveria”, tha Tahiri.

Ai bëri të ditur se në mbledhjen e Kryesisë kërkoi që Kuvendi të miratojë një deklaratë të përbashkët lidhur me situatën.

“Andaj, isha këtu që të alarmoj situatën, ta kthej fokusin te situata emergjente. Kryesisë së Kuvendit i kërkova që Kuvendi ta ketë një deklaratë të përbashkët dhe u dakorduam që ta kemi një deklaratë të përbashkët në seancën që do të mbahet ditën e hënë”, deklaroi Tahiri.

Deklarata vjen në kohën kur në Kosovë po vazhdojnë protestat lidhur me zhvillimet pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.